“Ballkan Babilonasit”, AShAM promovon veprën e Luan Starovës

28.10.2015 15:33

Akademia e Arteve ka promovuar sot librin e fundit të autorit, Luan Starova, “Ballkan Babilonasit”...

Në veprën në fjalë akademiku, Luan Starova, është munduar të bëjë kërkime për ndarjen e ballkanasve prej barbarizmit nëpërmjet qasjeve njerëzore dhe humane.

“Kjo është një ngjarje e rëndësishme në krijimtarinë time dhe në jetë, bëhet fjalë për promovimin e romanit “Ballkan Babilonasit”, i cili është  një kulm me sagë ballkanike që e krijoj gati 25 vite, e cila përmban deri tani 12 romane. Duke e marrë parasysh gjuhën, elementet e përbashkëta të gjuhëve që i ndajnë popujt, në këtë rastin e romanit bëhet fjalë për turqizmat në gjuhë të ballkanasve, në gjuhën shqipe, maqedonase, greke, bullgare etj”- deklaroi akademiku, Luan Starova.

Shpirti i Starovës është aq i gjerë, sa që mund të lexohet në të gjitha gjuhët e botës, vlerësoi me këtë rast akademiku nga Amerika, Viktor Fridman.

“Libri  është nga pikëpamjet shkencore, shpirti i Luan Starovës është aq i gjerë, sa mund të lexohet edhe në shqip, edhe në maqedonisht, edhe në gjuhët e tjera, anglisht, frëngjisht etj. Dua të them se nga shkrimtarët shqiptarë, Luan Starova ka një shpirt aq të gjerë, më tepër se çdo  shkrimtar tjetër mund të barazohet me Ismail Kadarenë, por mua më duket se Starova është më i mirë”- tha akademiku nga ShBA, Viktor Fridman.

Me romanin në fjalë, autori Starova ka fituar shpërblimin e parë në konkursin e gazetës “Utrinski”, midis 32 romaneve. Ndërkohë, me “Sagën Ballkanike” ai ka marrë çmime nacionale dhe ndërkombëtare. Pritet që botimi i radhës i autorit të jetë  “Polifonistët”– që ka të bëjë me thellësitë e identitetit shqiptar nëpërmjet këngës polifonike. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)