Maqedoni
Prokuroria Speciale, Anevski: Nuk ka risi që të mbajmë seancë të re
28.10.2015 16:08
Këshilli për Prokurorë Publik nuk ka ndërmend të mblidhet në ndonjë seancë të re për të diskutuar rreth prokurorëve që do të duhet të jenë pjesë e Prokurorisë Speciale...

Kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Petar Anevski, thotë se nuk ka asnjë moment të ri që do të detyronte atë të thërrasë mbledhjen e Këshillit.
Deri tani, Këshilli ka dhënë vendim dy herë radhazi për kërkesën e prokurores speciale dhe ka zgjedhur shtatë prokurorë publik.
Bashkë me Janevën këta 8 prokurorë janë më se të mjaftueshëm që të fillohet me punë, thotë Anevski.
“Kërkesa e dytë e prokurores speciale përmban emrat e njëjtë dhe nuk ka rrethana të reja, kemi edhe një kërkesë të re, e cila thotë se eventualisht mund të formohen lëndë të reja dhe do të ketë nevojë për numër më të madh të prokurorëve. Ne e kemi caktuar numrin e prokurorëve publik dhe e kemi shpallur në gazetë zyrtare. Prokurorët duhet të jepnin betimin solemn, por Janeva u tha që të mos vinë, kjo gjë nuk ka ndodhur deri më tani në Këshill dhe mendoj se Prokuroria Speciale duhet të fillojë me punë dhe në të ardhmen të mendohet për rritjen e numrit të prokurorëve publik”- deklaroi kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Petar Anevski.
Prokuroria Speciale ende nuk ka filluar me punë, pasi nuk janë krijuar kushtet që Janeva të fillojë procedimin e rasteve që dalin nga përgjimet e publikuara nga opozita.
Me një gjysmë ekipi, pa buxhet dhe pa hapësira ku të punojë puna e prokurores publike është bllokuar tërësisht për momentin dhe askush nuk di të japë përgjigje se kur do të fillojë të funksionojë ajo.
FLUTURA LATIFI
