Maqedoni

Gostivar, transporti publik me stacione moderne për pritje

28.10.2015 16:30

Komuna e Gostivarit bëhet me stacione pritëse moderne të transportit publik, të cilat do të vendosen në pesë lokacione brenda qytetit dhe në pesë fshatrat më të mëdha të Komunës së Gostivarit...

Vendosja e këtyre stacioneve ka filluar të bëhet prej sot. Në fazën e parë do të vendosen 10 stacione të tilla pritëse për transportin publik, por kryetari i Gostivarit, Nevzat Bejta, tha se në të ardhmen, nëse paraqitet nevoja, do të porositen edhe të tjera.
 
“Filluam procedurën në bazë të Ligjit për furnizime publike dhe Kompania e mirënjohur “Kartel” e fitoi tenderin. Në bazë të hulumtimeve nga terreni, fillimisht porositëm 10 stacione të tilla, të cilat kapin vlerën 1 milion e 200 mijë denarë. Një pjesë e pajisjeve do të vendosen brenda qytetit dhe një pjesë nëpër fshatrat më të mëdha të Komunës së Gostivarit, siç është Çegrani, Forina, Çajla, Debreshi dhe Raveni. Ku do të shohim se ka nevojë, në të ardhmen do të vendosim edhe stacione tjera pritëse”- deklaroi kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.
 
Në qytetin e Gostivarit stacione pritëse do të vendosen në katër pikëqëndrimet kryesore të transportit publik për në fshatrat përreth dhe në bulevardit kryesor të qytetit.
 
LULZIM HAZIRI