Maqedoni
Kreu i PDSh-së, Menduh Thaçi, takoi diplomatin holandez, Piter Fejt
28.10.2015 16:39
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, sot në selinë e partisë realizoi takim me diplomatin holandez nga Instituti Evropian për Paqe, Piter Fejt...

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, sot në selinë e partisë realizoi takim me diplomatin holandez nga Instituti Evropian për Paqe, Piter Fejt, i shoqëruar nga ekspertët, Ivan Shalev dhe Nicole Toppervin, si dhe nga koordinatori i lartë i OSBE-së për marrëdhëniet ndëretnike, Arno Van Der Pas.
Në takim është biseduar për situatën politike në vend, Marrëveshjen e Ohrit, marrëdhëniet ndëretnike, si dhe për zhvillimet në dialogun midis partive politike që lehtësohet nga ShBA dhe BE.
“Thaçi vlerësoi se edhe 15 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit ajo ka ngecje të konsiderueshme dhe nuk është zbatuar në frymën e saj të vërtetë, me çka e ka humbur edhe kuptimin.Këto çështje PDSh i ka parashtruar edhe në bisedimet gjatë arritjes së Marrëveshjes së 2 qershorit dhe 15 korrikut, e që burojnë nga Platforma Politike e PDSh-së, siç janë: pozita juridiko-kushtetuese e shqiptarëve në Maqedoni, vendimmarrja konsensuale, ndarja e drejtë dhe proporcionale e buxhetit të shtetit, zyrtarizmi i gjuhës shqipe, ndarja e re territoriale, de-etnizimi i simboleve shtetërore (flamuri, himni, stema), si dhe njëri prej tre posteve kryesore në shtet (kryeministri, presidenti, kryetari i Kuvendit) t’u takojë shqiptarëve. Thaçi gjithashtu vlerësoi se përplasjet mes partive maqedonase janë përplasje virtuale, kurse problemet reale të shtetit janë marrëdhëniet ndëretnike dhe çështja e emrit, andaj zgjidhja e këtyre problemeve do të stabilizonte vendin dhe rajonin, si dhe do të përshpejtonte proceset e integrimit në strukturat euroatlantike”- thuhet në njoftimin e PDSh-së.
