Maqedoni
Marrëveshja politike, thirrja e ambasadorëve has në vesh të shurdhër
28.10.2015 16:54
Deklarata e përbashkët e ambasadorëve të: Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë...

Deklarata e përbashkët e ambasadorëve të: Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Bashkimit Evropian për zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës, siç duket, ka has në vesh të shurdhët.
Përkundër thirrjes që iu bë kryeministrit, Nikolla Gruevski, që të autorizojë ekipin e tij për të gjetur marrëveshje për çështjet e pazgjidhura të Marrëveshjes së Përzhinës, nuk shënuar asnjë progres në bisedime.
Kryeministri, Nikolla Gruevski, përshëndeti angazhimin e ndërkombëtarëve për tejkalimin e krizës dhe tha se ekipi i tij vazhdon takimet dypalëshe me përfaqësuesit ndërkombëtarë në drejtim të gjetjes së zgjidhjeve për tejkalimin e dallimeve.
“Dua ta përshëndes angazhimin e tyre për të ndihmuar dhe lehtësuar këto bisedime. Komenti im në tuiter nuk është asgjë tjetër përveç se konfirmim për atë që është realitet në zgjedhje. Në zgjedhje vendosin qytetarët. Dhe aspak nuk është në kolizion me përpjekjet që bëjnë përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar që t’i ndihmojnë Maqedonisë që më shpejtë të tejkalohet gjendja aktuale në bisedime”- deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.
Edhe nga LSDM-ja thonë se nuk kanë bisedime dypalëshe me VMRO-DPMNE-në, por se takime të tilla realizojnë vetëm me përfaqësuesit ndërkombëtarë.
Sipas opozitës, me deklaratën e djeshme ambasadorët kanë përcaktuar fajtorin kryesor për krizën politike dhe frenuesin në zbatimin e Marrëveshjes politike të dy qershorit.
Burime nga kjo parti sqarojnë se procesi nuk mund të ecë përpara pa u zgjedhë ekipi i prokurores speciale.
Opozita mbetet në kërkesën për zbatimin e marrëveshjes politike, prandaj nuk do të ndërmarrë asnjë aktivitet tjetër.
Sipas tyre, veprimet jashtë marrëveshjes politike do t’ia mundësonin VMRO-DPMNE-së që ta fajësojë opozitën për zhvleftësimin e marrëveshjes.
Edhe partitë shqiptare kërkojnë zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës.
“Në rast se marrëveshja dështon për faj të partive maqedonase, BDI do të angazhohet në mbrojtje të qytetarëve, posaçërisht të atyre shqiptarë”- thonë burime nga BDI.
Ndryshe, një ditë më parë ambasadorët kërkuan nga partitë politike zbatimin emergjent të marrëveshjes politike.
Sa i përket prokurores speciale, faktori ndërkombëtar kërkon që t’i sigurohen mjetet që i ka kërkuar për të zhvilluar punën e saj.
Ndërkaq, Qeveria duhet që të zbatojë reformat e nevojshme, të cilat do të krijojnë terrenin për zgjedhje të besueshme, të lira dhe demokratike.
Ambasadorët i bënë thirrje edhe LSDM-së që të vazhdojë të respektojë marrëveshjen dhe të mos publikojë “bomba” politike.
SHPËTIM NUREDINI
