Ekonomi
Propozim buxheti, analistët: Selektiv në pikëpamje etnike
28.10.2015 17:04
Propozim buxheti i vitit 2016 nuk është komformë kërkesave të qytetarëve dhe realizimit të mirëqenies së shtetit, si dhe është selektiv në pikëpamje etnike, vlerësojnë ekspertët ekonomik...

Profesori universitar, Hamit Aliu, vlerëson se buxheti është diskriminues për palën shqiptare. Ai theksoi se mungojnë debatet ku do të analizoheshin se cilat janë pikat e dobëta të këtij buxheti.
“Ky buxhet për mendimin tim është shumë më profitabil për palën maqedonase, kurse sa i përket viseve ku jetojnë shqiptarët, buxheti gjithmonë ka qenë dhe është diskriminues. Buxheti në Republikën e Maqedonisë edhe sivjet nuk jep atë që paguajnë taksapaguesit shqiptarë në këtë shtet. Mua më habit një gjë, si njëherë e përgjithmonë nuk u debatua në mënyrë profesionale dhe nuk u shtjellua çështja se ku janë pikat e dobëta të këtij buxheti, sidomos në aspektin e zhvillimit ekonomik. Buxheti në Maqedoni duhet të jetë komformë të një politike makroekonomike, komformë nevojave të qytetarëve, komformë nevojave të shtetit”- deklaroi profesori universitar, Hamit Aliu.
Edhe analisti ekonomik, Ali Maksuti, është i mendimit se me këtë buxhet anashkalohen shqiptarët. Sipas tij, fajtorë kryesorë për këtë gjë janë partitë qeveritare, por edhe opozita shqiptare.
Edhe përkundër faktit që ata kanë propozuar disa amendamente, ai i vlerëson si joserioze.
“Buxheti për këtë vit është selektiv dhe diskriminues për shqiptarët. Për shembull në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve kemi ndarje të buxhetit për liqenin e Dojranit, i cili është i barabartë me ndarjen e investimeve për ujësjellësin e Tetovës, Zajazit dhe Likovës. Realisht partia opozitare ka ofruar disa amendamente, por të cilat nuk janë shumë serioze . Buxheti i Maqedonisë duhet të shihet duke u bazuar edhe në parametra edhe të Marrëveshjes së Ohrit”- tha analisti ekonomik, Ali Maksuti.
Propozim buxheti u debatua në Komisionin për Financa dhe Buxhet, ku u shqyrtuan amendamente të propozuara nga grupet parlamentare, ndërsa i njëjti duhet të miratohet në seancë kuvendore.
ERSAN PAJAZITI
