Maqedoni

Reagimi i Gruevskit ndaj ambasadorëve, Ramadani: Pjesë e kalkulimeve të kryeministrit

28.10.2015 17:22

Përgjigjja e kryeministrit, Nikolla Gruevski, ndaj thirrjes së pesë ambasadorëve për përgjegjësi në respektimin e Marrëveshjes së Përzhinës...

Përgjigjja e kryeministrit, Nikolla Gruevski, ndaj thirrjes së pesë ambasadorëve për përgjegjësi në respektimin e Marrëveshjes së Përzhinës është komentuar vetëm nga Ambasada gjermane në Shkup.
 
“Kjo është një fjali më se e saktë, të cilën plotësisht edhe e mbështesin”- thuhet në reagimin e shkurtër të Ambasadës.
 
Ambasadorët e tjerë kanë zgjedhur të heshtin sot. Analistët ndërkohë thonë se Gruevski reagon në këtë mënyrë pasi është i vetëdijshëm se çfarë e pret.
 
“Në momentin kur porositë e ambasadorëve të BE-së dhe ShBA-ve janë të qarta dhe adresojnë në një mënyrë fajtorin, Nikolla Gruevski, gjithnjë e më shumë do të gjendet para një dileme hamletiane, të jesh apo mos të jesh. Ai sigurisht se kalkulon. Në qoftë se e pranon Marrëveshjen e Përzhinës, atëherë do të vijë ajo faza më e vështirë për të kur do të hyjë në fazën e prezumcionit ose të ngritjes së aktpadive për veprimet e tij kriminele dhe korruptive, dhe shumë punë të tjera të cilat kanë ndikuar në zhvendosjen e sistemit demokratik”- deklaroi analisti, Ismet Ramadani.
 
Në opinion kanë qarkulluar edhe spekulime se VMRO-DPMNE mund të organizojë protesta në mbarë vendin. Analisti Ramadani thotë se nuk përjashtohen opsionet e tilla.
 
Në raste të tilla do të shtohet trysnia ndërkombëtare për të mënjanuar destabilizimet më të mëdha në vend, thotë Ramadani.
 
Hapi i radhës i faktorit të huaj, sipas tij, do të jetë publikimi i emrave të personave që do të futen në listat e zeza, duke filluar nga kryeministri dhe persona të tjerë në qeveri të përfshirë në raste korruptive.
 
Atyre mund që t’u ngrihen edhe llogaritë bankare. Veç shkrimit në twiter, kryeministri Gruevski edhe më 23 tetor, në shënimin e Ditës së kKyengritjes Revolucionare Maqedonase, pati thënë se asnjë i huaj nuk mund të vendosë për të ardhmen e popullit dhe e gjithë kjo situatë do të përmbyllet në zgjedhjet e 24 prillit.
 
MERAL ISMAILI