Maqedoni
Bujar Osmani: S’ka “plan b”, marrëveshja doemos të zbatohet
28.10.2015 17:31
BDI ka hedhur poshtë zërat e ditëve të fundit se nëse bije Marrëveshja e Përzhinës kjo parti do të bllokojë punën e Kuvendit...

BDI ka hedhur poshtë zërat e ditëve të fundit se nëse bije Marrëveshja e Përzhinës kjo parti do të bllokojë punën e Kuvendit, Qeverisë dhe institucioneve të drejtuara nga integristët, si dhe do të formojë një parlament shqiptar.
Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, thotë se këto opsione asnjëherë nuk janë diskutuar në organet e BDI-së dhe se plan i vetëm është respektimi i afateve të marrëveshjes politike, si dhe zbatimi i tërësishëm i saj.
“Do e kualifikoj si spekulim gazetaresk. Ne mendojmë se respektimi i plotë i Marrëveshjes së Përzhinës nuk ka alternativë. Është marrëveshje me mbështetje ndërkombëtare, është konsensus i të gjitha partive politike dhe duhet të respektohet deri në fund. Dështimi eventual i kësaj marrëveshje e fut Maqedoninë me një terren të rrezikshëm dhe me shumë skenare të panjohura, të cilat do të binë mbi barrën e qytetarëve dhe shtetit”- deklaroi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
Sipas partisë së Ahmetit, partitë politike e dinë se nuk guxojnë të lejojnë dështimin e marrëveshjes politike, pasi që vendi do të hyjë në terren të panjohur, e kjo do të shkojë në dëm të qytetarëve.
“Faktori ndërkombëtar do të duhet të vazhdojë të besojë se Maqedonia ka kapacitet për t’u ballafaquar edhe me këtë sfidë, siç është ballafaquar në të kaluarën me sfida më të mëdha, që kanë pasur të bëjnë edhe me sigurinë e shtetit. Mendoj se partitë politike nuk do të tejkalojnë ato kufi ku do të dëmtojnë interesin e qytetarit dhe shtetit për shkak të kalkulimeve politike të zgjedhjeve të ardhshme”- tha zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
Edhe pse po shkelen afatet dhe vonohet implementimi i tërësishëm i marrëveshjes, po afrohen zgjedhjet dhe ndërkombëtarët me çdo kusht do të ndërtojnë një terren zgjedhor të barabartë për të gjitha partitë politike, thotë Osmani.
SANIJE KASAMI
