Botë
Kina: Nuk kemi frikë të hapim luftë ndaj ShBA-ve
28.10.2015 17:58
Kina nuk ka frikë që të luftojë me Shtetet e Bashkuara mbi konfliktin në Detin e Jugut...

Kështu hapet një gazetë e përditshme shtetërore, që drejtohet nga Partia Komuniste kineze.
Një artikull i tillë vjen 24 orë pas patrullimit të anijes luftarake amerikane, “USS Lasson”, pranë brigjeve të arkipelagut Spratli.
“Përballë kërcënimit të Shteteve të Bashkuara, Pekini duhet të përballet me Uashingtonin në mënyrë diplomatike, por qeveria po përgatitet për situatën më të keqe të mundshme. Shtëpia e Bardhë duhet t’a kuptojë se Kina, pavarësisht se nuk ka si qëllim luftën, nuk është e frikësuar që t’a shpallë një gjë të tillë, në rast se do të shkelen sovraniteti, siguria dhe dinjiteti kombëtar.”–shkruhet në të përditshmen shtetërore.
Ministria kineze e Mbrojtjes akuzoi ShBA-të se provokimi ka qenë i qëllimshëm, ndërsa paralajmëroi se Kina do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e vendit.
Sipas Ministrisë, kjo lëvizje përbënte një kërcënim serioz ndaj sigurisë kombëtare të vendit, veçanërisht ndaj stafit që gjendej në ishull.
Edhe një portal on-line i ka dedikuar ShBA-ve një tjetër artikull, ku nënvizohet se Uashingtoni është shkaktari i kaosit dhe i destabilitetit në shumë vende të botës, e sidomos në Lindjen e Mesme.
Mbi konfliktin detar, ndërkohë, ka reaguar edhe sekretari i Departamentit amerikan të Mbrojtjes, Ash Carter.
Ai është shprehur se forcat ushtarake të Shteteve të Bashkuara do të kryejnë fluturime dhe do të lundrojnë kudo ku nuk shkelin asnjë prej ligjeve ndërkombëtare.
