Maqedoni

MPB për aksionin policor në Kumanovë: Kërkuam 3 bashkëpunëtorë të grupit të armatosur

28.10.2015 18:01

Ministria e Punëve të Brendshme sot në mëngjes, duke vepruar në bazë të urdhrit të gjykatësit të procedurës paraprake...

Ministria e Punëve të Brendshme sot në mëngjes, duke vepruar në bazë të urdhrit të gjykatësit të procedurës paraprake, ka kryer bastisje në shtëpi dhe hapësira të tjera në Kumanovë, në fshatin Hotël dhe në fshatin Haraçinë, te personat e dyshuar për kryerje të veprës penale "rrezik terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë".

MPB-ja njoftoi se bëhet fjalë për tre persona në moshë prej 35 dhe 41 vjeçare, prej të cilëve njëri nga fshati Brezë, një nga fshati Hotël dhe një person nga Kumanova, për të cilët gjatë hetimit janë siguruar dëshmi për involvimin e tyre në ofrimin e mbështetjes logjistike të grupit të armatosur nga Lagjja e Trimave.

"Gjatë bastisjeve të kryera personat nuk janë kapur dhe ende kërkohen, ndërsa gjatë bastisjes së shtëpisë në fshatin Hotël janë gjetur dhe marrë katër telefona celularë, tre sim-kartela, si dhe një mbajtës i sim-kartelës"- theksohet në kumtesën e MPB-së. Sendet e gjetura dhe të konfiskuara do t'i dorëzohen prokurorit publik kompetent për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.