Botë
Amnesty International: Australia, fajtore për mbytjen e refugjatëve
28.10.2015 21:32
Teksa shtetet e Bashkimit Europian po përplasen për kuotat e refugjatëve që duhet të pranojnë, duket se zyrtarët e Australisë kanë gjetur një tjetër mënyrë për t’i paraprirë një skeme të tillë...

Raporti më i fundit i Amnesty International tregon se refugjatët janë parandaluar për të hyrë në tokën australiane.
Detajet e raportit flasin se zyrtarët kanë paguar trafikantët e qënieve njerëzore që t’i kthejnë mbrapsht refugjatët dhe njëkohësisht kanë kërcënuar azilkërkuesit.
Referuar incidentit në maj, ku 65 pasagjerë të nisur për në Australi u kthyen drejt Indonezisë, Amnesty thotë se ka intervistuar të gjithë pjesëtarët e bordit të cilët kanë rrëfyer se qeveria në Kanberra u ka dorëzuar mbi 32.000 dollarë për t’u kthyer mbrapsht.
Më pas pasagjerët u ndanë në dy varka të vogla për t’u nisur drejt Indoznezisë, ku fatkeqësisht njëra prej tyre u mbyt në afërsi të një ishulli duke shkaktuar viktima.
Raporti gjithashtu spekulon se zyrtarët kanë paguar një tjetër ekuipazh, duke shënuar një incident të dytë më 25 korrik, bazuar në dëshminë e 15 azilkërkuesve të mbijetuar.
Këto ishin edhe rastet që ngriten grupet e hetimit, lidhur me këto marifete.
Por pas këtij raporti, qeveria mohoi të gjitha akuzat. Australia ka një politikë të ashpër dhe një tolerancë zero ndaj refugjatëve të cilët e kanë parë Australinë si tokën e premtuar.
Asnjë prej tyre nuk është lejuar të kalojë në territorin e vendit, ata janë kthyer në vendet e origjinës, ose janë dërguar në vendet fqinje të Paqësorit.
Ndërkohë, ish-kryeministri australian Tony Abbott disa ditë më parë iu sugjeroi zyrtarëve europianë të kthejnë mbrapsht rrjedhën e refugjatëve që hyjnë në kontinentin e vjetër.
“Pranimi i tyre do të kërkojë fuqi, logjistikë dhe shpenzime masive”, tha ai.
Qeveria e Abbott është ajo që akuzohet se ka zbatuar një politikë të rreptë për azilkërkuesit të cilët janë përpjekur të hyjnë në Australi me mjete lundruese.
Megjithatë, organizata Amnesty International është e vendosur ta çojë çështjen deri në fund, duke bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar./Top Channel
