Basketboll

Chicago regjistron triumfin e dytë, fitojnë edhe Oklahoma, Minesota e Klivlend

29.10.2015 10:12

Disa skema defanzive të ndryshme nga trajneri Fred Hoiberg, loja me rotacion më të shpeshtë, kanë bërë që Chicago Bulls i Derrick Rose-it...

Disa skema defanzive të ndryshme nga trajneri Fred Hoiberg, loja me rotacion më të shpeshtë, kanë bërë që Chicago Bulls i Derrick Rose-it të shënojë edhe fitoren e dytë me radhë në stinorin e ri të NBA.
 
Jimmy Butler shënoi 24 e Nikola Mirotic 18 pikë, për të mposhtur Brooklyn Netsin 115-100. Pau Gasol kontribuoi me 16 e Rose me 15 pikë tjera, për të çuar Demat në fitoren e radhës.
 
Në anën tjetër, Brooklyn dështoi që të shënojë në të gjitha (9) tentimet për treshe, derisa Brook Lopez e Andrea Bargnani tentonin të mbanin ekipin në lojë me 26, përkatësisht 17 pikë të shënuara.
 
Një super duel, dje është luajtur në Chesapeake Arena, ndërmjet Oklahoma City Thunder dhe San Antonio Spurs. Me transferimet e bëra, San Antonio po konsiderohet si kandidat kryesor për titull, në anën tjetër, rikthimi nga lëndimi i Kevin Durantit, e bëri Oklahomën përsëri superfuqi.
 
Ndeshja ishte e barabartë deri në minutat e fundit, por në fund me disa gabime vendimtare që i bënë djelmoshat e trajnerit Gregg Popovich, Oklahoma mposhti kundërshtarin me rezultat 112-106.
 
Russell Westbrook, ishte koshashënuesi më i mirë në ndeshje me 33 pikë, derisa i bëri edhe 10 asistime gjatë ndeshjes, ku u ndihmua edhe nga Kevin Durant, me 22 pikë e 6 kërcime.
 
Nga ndeshjet tjera, veqojmë fitoren e Minesotës ndaj Lakersave, ku rekord të karierës regjistroi Ricky Rubio, si dhe triumfin e Klivlendit ndaj Memfisit.