Maqedoni

Gjykata Supreme shënon 70 vjetorin e themelimit

29.10.2015 16:25

Me akademi solemne dhe konferencë, Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë shënoi 70 vjetorin e themelimit...

Me këtë rast, ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, tha se Gjykata Supreme mundëson të sigurohet dhe garantohet pavarësia e gjyqësisë.
 
“Shtatëdhjetë vite ekzistencë dhe funksionim i Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë është periudhë e mjaftueshme për funksionimin dhe afirmimin e saj shoqëror, si dhe vërtetim për kontributin e saj në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, përmes së cilave në mënyrë të drejtpërdrejtë vjen në shprehje respekti dhe dinjiteti, të drejtat e barabarta dhe të patjetërsueshme të të gjithë qytetarëve, si standarde gjithëpërfshirëse kombëtare dhe ndërkombëtare”- deklaroi ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
 
Ndërkohë, kryetarja e Gjykatës Supreme, Lidija Nedellkova, tha se gjyqësia ka dobësitë dhe lëshimet e veta, por është shtyllë e konstruktit shtetëror.
 
“Ne nuk themi se në gjyqësi nuk ka negativitet dhe anomali, por për të gjitha këto kemi qasje kritike, ndërmarrim masa për tejkalimin e tyre. Prandaj, të mos e rrënojmë sistemin gjyqësor, por ta përgatisim të njëjtin për funksionim efektiv dhe arritjen e idealit për gjyqësi të pavarur në kushte të krizës”- theksoi kryetarja e Gjykatës Supreme, Lidija Nedellkova.
 
Ndërkohë, sipas kryetarit të Kuvendit, Trajko Veljanovskit, në këtë periudhë turbulente krijohet mosbesim te të gjitha institucionet, e në veçanti te Gjykata Supreme.
 
“Kritika e cila bazohet në argumente, ndonjëherë edhe në mendim subjektiv, është e nevojshme që të pranohet hapur, si nxitje për cilësi në punë. Por, rrënimi i besimit në institucione, siç ishte shembulli me deklaratën e një lideri partiak se nuk e pranon gjyqësinë, është rrënim i vetëdijshëm i shtyllave të demokracisë”- tha kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski.
 
Konferenca e Gjykatës Supreme u organizua në bashkëpunim me misionin e OSBE-së në Shkup.
 
FLUTURA LATIFI