Maqedoni

Konferenca SIGMA-reformat në Administratë, financat publike atribut kryesor për një qeverisje efikase

29.10.2015 16:49

Maqedonia vazhdon me reformat në Administratën Publike në pajtueshmëri me standardet e legjislacionit evropian...

Maqedonia vazhdon me reformat në Administratën Publike në pajtueshmëri me standardet e legjislacionit evropian, megjithatë nevojitet akoma punë, me qëllim të inkorporimit të të gjitha kritereve që kërkohen nga Bashkimi Evropian.
 
Në kuadër të strategjisë qeveritare 2010-2015, reformat në Administratën Publike janë prioritet i vendit, thonë kompetentët.
 
“Realisht, reformat në Administratë sipas vlerësimit tim dhe punës në ministri, janë bërë në vitet e fundit, megjithatë, akoma mund të thuash se është vetëm fillimi. Reformat në Administratë janë një proces në kontinuitet dhe natyral, e që kërkon angazhim të pandërprerë”- deklaroi zëvendësministrja e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Marta Arsovska.
 
Edhe përkundër punës së realizuar, Maqedonia akoma qëndron larg respektimit të  kritereve të Kopenhagës, respektivisht mungesës së respektimit të kritereve të Selanikut për Ballkanin Perëndimor, thonë ekspertët e Administratës Publike.
 
“Ende qëndrojmë larg depolitizimit të Administratës, në drejtim të mungesës së transparencës në Administratë, mungesës së theksuar të efikasitetit dhe efektivitetit dhe të të gjitha elementeve që janë në kategorinë e shërbimeve publike, që gjithsesi aludojnë me theks të veçantë në plotësimin e  interesave të përgjithshme të qytetarëve”- tha profesoresha e Administratës Publike, Besa Kadriu.
 
Këto komente u thanë në konferencën e projektit të OSBE-së dhe BE-së, SIGMA, partnere për përkrahjen dhe përmirësimit e qeverisjes dhe menaxhment në Maqedoni, që, sipas tyre, menaxhimi me financat publike janë atribut kryesor për një qeverisje dhe menaxhment efikas publik.
 
SIGMA do t’i publikojë masat për matjen e efikasitetit të Administratës Publike menjëherë pas publikimit të raport progresit për Maqedoninë nga Komisioni Evropian.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU