Maqedoni
Ministri i Arsimit, Ademi: Komuna e Dollnenit të sigurojë transportin e nxënësve, për shkollat e Kërçovës duhet zgjidhje sistemore
29.10.2015 17:07
Shkolla “Liria” dhe Komuna e Dollnenit kanë për obligim të sigurojnë transportin për të gjithë nxënësit e regjistruar në territorin e tyre...

Shkolla “Liria” dhe Komuna e Dollnenit kanë për obligim të sigurojnë transportin për të gjithë nxënësit e regjistruar në territorin e tyre, pa marrë parasysh se nga cila komunë vijnë, deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Ai bëri të ditur se Ministria i ka kërkuar një gjë të tillë me shkrim Komunës së Dollnenit, prandaj ai kërkon që sa më shpejtë të fillojë pagesa e transportit që nxënësit të mund të nisen mësimin.
“Unë dje zyrtarisht i kam lëshuar letër edhe shkollës “Liria”, por edhe Komunës së Dollnenit, të cilat janë të obliguara që të sigurojnë transport për gjithë nxënësit e regjistruar në territorin e tyre, pavarësisht se nga cila komunë vijnë ata. Unë mendoj që transporti është dashur që dje të organizohet, jo nesër. Mendoj që komunat, pavarësisht cila komunë, duhet të sillen në mënyrë më të përgjegjshme lidhur me kompetencat e tyre që i kanë, sepse nuk guxojmë që nxënësit të humbin mësim dhe të pësojnë nxënësit nga neglizhenca e institucioneve, në këtë rast Komuna e Dollnenit sa i takon çështjes së transportit, është shumë e pastër, dotacionet janë për Komunën e Dollnenit, janë të siguruara nga MASh-i dhe vetëm ata duhet të zbatojnë ligjin, shpresoj që do të zgjidhet shpejt”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Ministri Ademi u prononcua edhe rreth marrëveshjes së Komunës së Kërçovës me kompaninë EVN për borxhin e energjisë elektrike që kanë shkollat e Kërçovës, me ç’rast vlerësoi se Komuna po e menaxhon mirë këtë çështje edhe pse kishte një borxh të madh që kishte trashëguar. Ademi po ashtu bëri të ditur se kryetari i Kërçovës ka kërkuar ndihmë edhe nga qeveria.
“Kam parashtruar një kërkesë deri tek Qeveria për të siguruar një sasi nafte, për të siguruar ngrohjen e shkollave, e cila në Qeveri ende nuk është shqyrtuar dhe do të shqyrtohet në seancën e radhës. Dy vite paraprake Qeveria ka ndihmuar Komunën e Kërçovës me një sasi të caktuar të naftës dhe ka tejkaluar problemin, mirëpo nuk e ka zgjidhur deri në fund, sepse nuk është zgjidhje vetëm dhënia e naftës për ngrohje dhe transport, duhet të gjendet një zgjidhje sistemore”- theksoi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
MASh-i po punon për krijimin e një koncepti të ri për të gjitha komunat rreth çështjes së transportit, bëri të ditur ministri Ademi me rastin e nënshkrimit të memorandumit për bashkëpunim me drejtorin e rrjetit YES, Gjorgji Kushevski, dhe drejtorin e Usaid-it, Xhejms Stejn.
Për shkak të suksesit që kanë arritur nxënësit përmes rrjetit “Yes” në vend, do të vazhdohet edhe në të ardhmen me zbatimin e tij, pasi që për 5 vite ky rrjet ka arritur përmirësimin e aftësive për punësim të nxënësve të shkollave të mesme dhe të rinjve të papunësuar prej moshës 15 deri më 27 vjeçare.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
