Maqedoni

Kriza politike, sektori civil gati të ndihmojë ringjalljen e bisedimeve

29.10.2015 17:20

Sektori civil shprehet i gatshëm të ndihmojë partitë politike për të ringjallur bisedimet...

Në një debat të organizuar nga Instituti për Politikë Evropiane, OJQ-të sugjerojnë që marrëveshja të zbatohet deri në fund, ndërsa bisedimet të jenë të hapura për qytetarët.
 
Prioritet t’i jepet gjyqësorit dhe mediave, dhe më pas të rishikohen pikat tjera të marrëveshjes.
 
Aleksandër Jovanovski nga Instituti për Politikë Evropiane thotë se po stimulojnë vazhdimin e bisedimeve para se Maqedonia të humb rekomandimin, sepse pasojat mund të jenë serioze.
 
“Procesi do të kthehej në pikën zero, pastaj vendit do t’i duhen pesë, gjashtë, deri në shtatë vjet që të kthehet në drejtimin ku ishte. Pra, humbja e rekomandimit, edhe pse në këtë situatë nuk rezulton me nisje të bisedimeve, do të thotë kthim mbrapa në procesin e anëtarësimit”- deklaroi përfaqësuesi i Institutit për Politikë Evropiane, Aleksandër Jovanovski.
 
Ndërkohë, shtohet shqetësimi për izolim total të vendit. Në një situatë të tillë askush nga jashtë nuk do të mbikëqyrë punën e institucioneve, ndërkaq të drejtat qytetare do të shkelen jashtë mase.
 
“Në rast se humbim rekomandimin, atëherë mund që të ndodhë izolimi i vendit, gjegjësisht të mos mbikëqyren institucionet në realizimin e të drejtave të qytetarëve. Mund që të ketë shkelje më të madhe të të drejtave të tyre, ndërkaq këtë mos ta mbikëqyrë askush”- theksoi përfaqësuesja e Institutit për Politikë Evropiane, Nena Çallovska.
 
Avokati, Dragan Malinovski, thotë se liderëve politik u është ngushtuar hapësira për manovrime.
 
Atyre s’u mbetet gjë tjetër veç zbatimit të marrëveshjes që kanë nënshkruar, thotë ai.
 
“Nëse kjo nuk realizohet, unë nuk shoh parakushte elementare dhe ambient që të mbahen zgjedhjet në prill, të cilat shihen si finale të daljes nga kriza. Ky është një proces që do të duhet në mënyrën më adekuate të sigurohet”- theksoi avokati, Dragan Malinovski.
 
Edhe mediat thirren që të vihen në aksion për të shpëtuar vendin nga dështimi. Ndërkombëtarët veç më kanë paralajmëruar sanksionet e mundshme në rast se dështohet Marrëveshja e Përzhinës.
 
Sipas tyre, Maqedonia mund të shndërrohet në një Bjellorusi të dytë.
 
MERAL ISMAILI