Maqedoni

Vazhdojnë bisedimet për marrëveshjen politike, VMRO: LSDM zvarrit procesin për të shty zgjedhjet

29.10.2015 17:34

Marrëveshja politike është gjallë. Palët vazhdojnë bisedimet, por kompromisi për qeverinë transitore mbetet i vështirë...

Pas deklaratës së përbashkët të ambasadorëve për zbatim urgjent të kësaj marrëveshje, si zgjidhja më e mirë për vendin, VMRO-DPMNE dhe LSDM kanë vazhduar bisedimet që të mërkurën.
 
Mirëpo, VMRO akuzon LSDM-në për zvarritjen e implementimit të këtij dokumenti në dy javët e fundit.
 
Antonio Milloshovski, deputet i VMRO-së dhe pjesëmarrës në bisedime, thotë se LSDM refuzon propozimet e veta sa herë që VMRO-DPMNE tregon gatishmëri për të pranuar ato.
 
Sipas tij, ky veprim i LSDM-së bëhet me qëllim që kriza politike të thellohet edhe më shumë, vendi të humb rekomandimin, ndërsa ekonomia të shënojë rënie.
 
Një rezultat i tillë, sipas Milloshovskit, do të shkonte në favor të LSDM-së.
 
“Është koha e fundit që LSDM të mos e zvarrisë zbatimin, vetëm pse ka frikë nga zgjedhjet që vetë i kërkoi. E gjithë kjo taktikë është e qartë, se ka për qëllim ikje nga data për zgjedhje dhe dëshira për të hyrë në pushtet sipas kushteve të tyre dhe me çdo kusht, dhe njëkohësisht vazhdimin e krizës politike, si shkas që do të shërbente për zvarritjen ose pezullimin e zgjedhjeve. LSDM shpreson se në kohë të krizës politike dhe pasoja ekonomike të mund të angazhohet në rejtingun e saj të ulët”- deklaroi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
 
Përderisa LSDM thekson si pengesë kryesore mosekipimin e prokurores speciale, VMRO-DPMNE konsideron se si pengesë kryesore paraqiten kompetencat e ministrave dhe zëvendësministrave gjatë qeverisjes kalimtare.
 
Sipas Milloshovskit, kërkesat e LSDM-së lënë të kuptohet se opozita kërkon të bashkëqeverisë me VMRO-DPMNE-në.
 
“LSDM kërkon atë që nuk e kanë fituar me Marrëveshjen e Përzhinës ta arrijnë me zvarritjen e këtyre bisedimeve. Të fitojnë më shumë kompetenca edhe kur janë jashtë dispozitave ligjore në fuqi dhe të kenë ndikim politik, pjesëmarrje dhe krijim të politikave të Qeverisë së RM-së, diçka që e konfirmonin se nuk është qëllimi i tyre”- tha Milloshovski.
 
Sipas Milloshovskit, tani për tani ka pajtueshmëri për pakon zgjedhore, prandaj ftoi opozitën që të bien dakord që kjo pako që nesër të miratohet në Kuvend, me qëllim që të mund të ruhet rekomandimi për fillimin e bisedimeve.  
 
SHPËTIM NUREDINI