Ekonomi
Propozim buxheti për 2016, përplas këshilltarët në Qytetin e Shkupit
29.10.2015 18:07
Projekt buxheti për 2016 për Qytetin e Shkupit akoma pa ardhur në rend të ditës i përplasi këshilltarët e mazhorancës dhe të opozitës në seancën e sotme të pyetjeve të këshilltarëve...

Këshilltarët e LSDM-së dhe të PDSh-së akuzuan për favorizime të projekteve të VMRO-DPMNE-së, ndërsa sërish diskriminues për shqiptarët.
“Për Koce Trajanovskin edhe më tej mbetet prioritet luksi i kryeministrit, Nikolla Gruevskit, karshi nevojave të qytetarëve të Shkupit. Andaj në tre vitet e ardhshme, Trajanovski planifikon të bëjë luks me 10 milion e 300 mijë euro për një ndërtesë të re administrative, me 7 milion e 800 mijë euro për fasada të reja barok. Trajanovski në 2016-tën planifikon të shpenzojë plot 500 mijë euro për rrugica hyrëse në afërsi të selisë së re të VMRO-DPMNE-së, 3 milion euro të reja për sheshe dhe shatërvanë dhe 500 mijë euro për projekte për fasadat barok”- deklaroi këshilltari i LSDM-së, Damjan Mançevski
.
“Në këtë buxhet 2016 parashikohet më tepër interesimi për kafshatë endacake, ku kemi propozim buxhet për 115 mijë euro. Për 7 vite, prej kur është në qeverisje kryetari i qytetit, Trajanovski, janë harxhuar afro 1 milion euro, kurse qytetarët shqiptarë në banimet ku jetojnë në Saraj dhe në vende të tjera kanë probleme me ujë për pije. Një krahasim tjetër që mund të shihet në buxhetin 2015 kemi përkujdesjen e majmunit Koko, i cili do të jetë në kopshtin zoologjik, parashihen 8 milion denarë, ndërsa për alfabetin e gjuhës shqipe parashikohen 2.500 euro”- tha këshilltari i PDSH-së, Idriz Orana.
“Shuma e parashikuar në projekt buxhetin për rregullimin e rrugicave hyrëse përreth garazhit në kate, në Ministrinë e Financave dhe në selinë e ujësjellësit vërtetë është 30 milion denarë, mirëpo ju e dini se kjo shumë gjithmonë po zvogëlohet në thirrjet publike. Mendoj se kjo hapësirë duhet rregulluar në mënyrë adekuate, sepse të gjitha rrugicat janë në afërsi të institucioneve publike”- theksoi këshilltari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Janakievski.
Edhe këshilltari i BDI-së në Qytetin e Shkupit, Qemal Musliu, demantoi se projekt buxheti në fjalë është diskriminues.
Ai tha se për vitin e ardhshëm parashikohen mjete për realizimin e më shumë projekteve nëpër vendbanimet shqiptare.
“Do të kisha theksuar se vetëm në sferën e urbanizmit, në territorin e Komunës së Çairit, Butelit, Shuto Orizarit dhe Sarajit parashikohen për projektet që do të realizohen mbi 320 milion denarë. Nëse kësaj ia shtojmë edhe mjetet materiale të cilat do të shpenzohen për projekte në sferën e kulturës, në institucionet e kulturës dhe gjithashtu në konkursin që u hap në muajin shtator, sigurish do të kalojnë 15 deri më 20 projekte, varësisht prej vlerave, nëse i shtojmë edhe mjetet materiale në sferën e sportit, arsimit parashihen mjete edhe për gazifikimin në Shkollën e Mesme “Cvetan Dimov”, interierin e shkollës së mesme që do të hapet në Saraj dhe në sfera tjera, ndriçimi dhe mirëmbajtja e rrugëve ku banojnë shqiptarët, do të kisha thënë se relativisht jemi të kënaqur”- u shpreh këshilltari i BDI-së, Qemal Musliu.
Projekt buxheti për 2016-tën i Qytetit të Shkupit është rreth 400 miliard e 400 milion denarë dhe është 7 ose 8 për qind më shumë se buxheti i këtij viti. Qyteti i Shkupit për propozim-buxhetin do të debatojë pas një muaji.
REXHEP QAMILI
