Kulturë

Festivali i Këngëve Folklorike ”Oda dibrane”, odë e të gjithë shqiptarëve

30.10.2015 14:43

Këngët e traditës, ritet popullore, vallet dhe kostumet popullore të prezantuara në natën e parë të Festivalit tradicional të Këngës “Oda dibrane”...

Këngët e traditës, ritet popullore, vallet dhe kostumet popullore të prezantuara në natën e parë të Festivalit tradicional të Këngës “Oda dibrane”, që këtë vit mbahet për të 21 herë me radhë, mbrëmë ishte një nderim që Festivali Folklorik “Oda dibrane” në Dibër të Madhe të shndërrohet në odë të të gjithë shqiptarëve.
 
Dibra dhe dibranët mbrëmë ishin në festë, kjo ngjarje e madhe kulturore filloi me parakalimin nëpër shëtitoren e bukur të Dibrës, ku merrnin pjesë Ansambli i Qendrës Kulturore Peshkopi, ShKA “Jonuz Ramadani” nga Vitia, ShKA “Skampa” nga Elbasani, ShKA “Karshiaka” nga Shkupi, Ansambli “Çamëria” nga Vlora, Ansambli “Gjilani” nga Gjilani dhe dy shoqëritë kulturore nga Dibra, “Dibra” dhe “Haki Stërmilli”, të gjitha këto nën drejtimin e drejtorit të Festivalit “Oda Dibrane”, Veli Vraniqi, dhe dy kryetarëve të Dibrës së Madhe dhe Dibrës së Vogël, Ruzhdi Lata dhe Shukri Xhelili, funksionuan dhe vepruan në union si një ansambël i vetëm gjithëshqiptar. 
 
Me fjalën e mirëseardhjes dhe përshëndetëse u paraqit kryetari i Dibrës së Vogël, gjegjësisht kryetari i Bashkisë së Peshkopisë, Shukri Xhelili, ndërkaq kryetari i Dibrës së Madhe gjatë hapjes së festivalit “Oda dibrane” tha se ky event kulturor përfshin odën jo vetëm të Dibrës së Madhe, por odën e madhe të të gjithë shqiptareve. 
 
Për tre orë me radhë ansamblet e pranishme në natën e parë, ata  para publikut dibran performuan ritin, vallen humoristike dhe alegorinë që tradicionalisht bëhet në odën e burrave.
 
ATLI DEMA