Maqedoni

Vazhdojnë bisedimet për Marrëveshjen politike, bëhen përpjekje për të ruajtur rekomandimin

30.10.2015 15:00

Elita politike maqedonase ka edhe pak ditë në dispozicion për të zbatuar Marrëveshjen e Përzhinës...

Elita politike maqedonase ka edhe pak ditë në dispozicion për të zbatuar Marrëveshjen e Përzhinës, në të kundërtën vendi mund të humb rekomandimin për fillimin e bisedimeve me BE-në. Kreu i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, është optimist se Marrëveshja do të zbatohet në tërësi edhe pse deri tani nuk është shënuar ndonjë avancim thelbësor.
 
Sipas tij, procesi ka ngecur te Ligji për qeveri, posaçërisht te kompetencat e ministrave dhe zëvendësministrave.
 
“Nuk ka diçka të veçantë që është ndryshuar. Ajo që mund të konfirmoj është se, ne si LSDM, deri në moment të fundit do të jemi në betejën që Maqedonia të mos shtyhet në rrugën në të cilën po ecën Bjellorusia. Do të bëjmë gjithçka, deri sa ka mundësi të hapur ta ruajmë rekomandimin dhe të zbatohet Marrëveshja e Përzhinos në tërësi. Bëhet fjalë për disa ditë. Të gjithë e dini se pritet që Raporti për Maqedoninë të përfundojë, mbyllet dhe publikohet”- deklaroi Zoran Zaev nga LSDM.
 
Sipas Zaevit, nuk ka gjasa që data e zgjedhjeve të shtyhet. Ai siguroi se blloku që po udhëheq do të bëjë çmos që Marrëveshja të zbatohet. 
 
“Nuk besoj se ka mundësi që zgjedhjet të shtyhen. Sinqerisht, pres që Marrëveshja të zbatohet në tërësi. Ne jemi plotësisht të përgatitur, maksimalisht fleksibil dhe kooperativ për çfarëdo thirrje të përfaqësuesve ndërkombëtarë, të z. Piter Van Hojt, i cili i udhëheq negociatat, të japim plotësisht resurse dhe kapacitete të udhëhequra nga unë si kryetar i LSDM-së, në drejtim të gjetjes së zgjidhjes”- theksoi Zaev.
 
Palët iu rikthyen bisedimeve për zbatimin e Marrëveshjes politike të dy qershorit dhe 15 korrikut, pas deklaratës së përbashkët të ambasadorëve të vendeve me relevancë, të cilët kërkuan nga kryeministri Gruevski që të inkurajojë grupin e tij negociues për të gjetur zgjidhje për çështjet e hapura.
 
Nga LSDM kërkuan që të respektojë Marrëveshjen dhe të mos publikojë materiale të përgjuara. Ndërkaq, kërkuan përgjegjësi të posaçme nga qeveria për tejkalimin e krizës dhe zbatimin e reformave të nevojshme.
 
SHPËTIM NUREDINI