Maqedoni

UShT, konferencë kushtuar problemeve në arsim

30.10.2015 15:18

“Sfidat dhe perspektiva e arsimit bashkëkohor” në UShT ishte tema e konferencës së tretë ndërkombëtare shkencore të organizuar nga Fakulteti Filozofik...

“Sfidat dhe perspektiva e arsimit bashkëkohor” në UShT ishte tema e konferencës së tretë ndërkombëtare shkencore të organizuar nga Fakulteti Filozofik, ku u përurua edhe revista e tretë dhe e katërt e “Philosophica’’ për vitin 2015.
 
Rektori i UShT-së, Vullnet Ameti, me këtë rast u shpreh se në vend, rajon dhe më gjerë arsimi përballet me sfida të shumta, por me koordinim të përbashkët do të arrihen rezultate cilësore si në ciklin e ulët ashtu edhe në arsimin e lartë.
 
“Fillimin e punimeve të konferencës së tretë ndërkombëtare shkencore me temë “Sfidat dhe perspektivat e arsimit bashkëkohor”, që organizohet nga Fakulteti Filozofik, konfirmon angazhimin tonë të palëkundur për mbështetje të plotë për çdo fakultet, me organizimin e konferencave, kongreseve dhe simpoziumeve shkencore me karakter ndërkombëtar, botimin e revistave shkencore dhe stimulimin e stafit akademik për kërkime shkencore”- deklaroi rektori i UShT-së, Vullnet Ameti.   
 
Qëllimi kryesor i arsimimit është të krijojë njerëz të aftë, që do të krijonin gjëra të reja, por edhe krijimin e mendimit kritik, u tha në konferencë.
 
“Qëllimi kryesor i arsimit është të krijojë njerëz të aftë, të bëjnë gjëra të reja, jo thjesht të përsëritin atë që kanë bërë brezat tjerë, por njerëz që janë krijues, shpikës e zbulues. Qëllimi i dytë i arsimit është të formojë mendje që mund të jenë kritikë, që mund të verifikojnë dhe jo të pranojnë çdo gjë që ju jepet sot nga shkenca, kërkohen zgjedhje të reja”- theksoi dekani i Fakultetit Filozofik, Fadbi Osmani.
 
“Kjo konferencë jo që vetëm do të reflektojë atë përvojë dhe traditë e ndryshmëri kontekstesh, por do të nxisë motivim dhe aspirim për të bashkuar energjitë shkencore e krijuese, e vizione akademike e intelektuale. Për të receptuar horizontet e këtyre sfidave në frymën e një misioni universal, rajonal dhe global, që ky shekull ia ka vënë inperativisht botës universitare, si një faktor thelbësor në artikulimin dhe strukturimin e vëllimeve dhe zhvillimeve socio-ekonomike”- u shpreh koordinatori i konferencës, Ibish Kadriu.         
 
Konferenca do të vazhdojë edhe ditën e nesërme, ku profesorë nga vendi dhe rajoni do të prezantojnë punimet e tyre lidhur me problemet shkencore dhe arsimore.
 
VISAR SADIKI