Maqedoni

Raport-progresi, vendi mund të marrë rekomandim të kushtëzuar

30.10.2015 15:31

Përmbyllja e raportit të progresit për Maqedoninë disa herë është anuluar për shkak të ngecjes së bisedimeve të katër partive politike...

Përmbyllja e raportit të progresit për Maqedoninë disa herë është anuluar për shkak të ngecjes së bisedimeve të katër partive politike në Maqedoni për implementimin e marrëveshjes politike.
 
Por, kur është gjithnjë e më e mundshme që raporti të publikohet më 5 nëntor, janë shtuar zërat se vendi do të marrë rekomandim të kushtëzuar me implementimin e Marrëveshjes politike të Përzhinës.  
 
Deri te një vendim i Brukselit për rekomandim të kushtëzuar mund të ketë çuar vlerësimi i diplomatëve në Bruksel, se tërheqja e rekomandimit mund të ketë pasoja negative për Maqedoninë dhe ekonominë e saj. 
 
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, ka deklaruar se drafti i raportit të progresit për Maqedoninë akoma është i hapur. Gjithnjë sipas saj, situata në Maqedoni po ndiqet me vëmendje nga Brukseli, duke refuzuar të komentojë përmbajtjen e raportit.
 
Madje, nuk kanë munguar as vlerësimet e analistëve, se humbja e rekomandimit do ta çonte vendin deri në izolim ndërkombëtar, do të thellonte krizën politike deri në radikalizim, si dhe nuk do të mungonte edhe presioni i qytetarëve për humbjen e ardhmërisë evropiane të vendit. 
 
Maqedonia ishte vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që në vitin 2001 nënshkroi Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim, ndërsa statusin e kandidatit e fitoi në vitin 2005.
 
Që atëherë, Maqedonia ka marrë gjashtë rekomandime pozitive për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, por për të ecur në hapat e mëtutjeshëm drejt eurointegrimeve problem kyç ka qenë kontesti me emrin me Greqinë.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU