Maqedoni
Lufta kundër terrorizmit, Maqedonia e rrezikuar, trajnohet policia
30.10.2015 15:52
Maqedonia mund të jetë e rrezikuar nga terrorizmi. Për identifikim të hershëm të ekstremizmit, që mund të shpie në terrorizëm...

Maqedonia mund të jetë e rrezikuar nga terrorizmi. Për identifikim të hershëm të ekstremizmit, që mund të shpie në terrorizëm, tanimë një vit në kuadër të projektit të OSBE-së për identifikim të hershëm të ekstremizmit janë trajnuar 20 policë të rangut më të lartë.
Ata njohuritë e tyre pritet t’ua përcjellin kolegëve në teren. Koordinatori nacional për luftë kundër terrorizmit, Toni Jakimovski, në konferencën е organizuar për këtë çështje tha se ky projekt do të japë rezultate pozitive, e në veçanti pasi policët të marrin edhe fletushka me instruksione konkrete.
“Të zbulohet apo të parandalohet radikalizmi, ekstremizmi, madje edhe terrorizmi është një punë shumë e rëndë. Më rëndë është të zbulohet në fazën e hershme. Megjithatë, duhet të punojmë në terren, pasi që terrorizmi është një kërcënim global që nuk përjashton Maqedoninë”- deklaroi koordinatori nacional për luftë kundër terrorizmit, Toni Jakimovski.
Ditë më parë u thirrën autoritetet që të bëjnë identifikimin e emigrantëve në kufirin jugor për të parandaluar ekstremizmin eventual. Shefja e OSBE-së thotë se nuk ka informacione për indikacione të tilla, por masat parandaluese janë më se të nevojshme.
“Jam e sigurt se institucionet e BE-së dhe institucionet e rajonit po ndjekin situatën dhe gjithashtu shkëmbejnë informacione. Kriza me emigrantët është një çështje serioze që duhet të ndiqet nga afër”- theksoi shefja e OSBE-së, Nina Suomalainen.
Projekti për trajnimin e policisë për identifikimin e hershëm të ekstremizmit është aplikuar në 17 shtete evropiane, ndërkaq në Maqedoni pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen.
MERAL ISMAILI
