Maqedoni

Shkup, debat kushtuar trajtimit të ujërave të zeza

30.10.2015 16:49

Vlerësimin e zgjidhjeve të mundshme për trajtimin e ujërave të zeza dhe llumit...

Vlerësimin e zgjidhjeve të mundshme për trajtimin e ujërave të zeza dhe llumit, dhe zgjidhjet e rekomanduara teknike dhe teknologjike për Qytetin e Shkupit kishte për qëllim punëtoria kushtuar kësaj problematike, ku ishin të pranishëm përfaqësues të Pushtetit Lokal në Shkup, ambasadorja franceze dhe ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Izairi.
 
Ky i fundit me këtë rast bëri të ditur se projekti ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe për mbrojtjen e mjedisit, ndërsa do t’u shërbejë rreth 600 mijë qytetarëve.  
                                                                            
“Vlerësimi i zgjidhjeve të mundshme për trajtimin e ujërave të zeza dhe llumit për Qytetin e Shkupit është bërë në kuadër të projektit për përpunim ‘Studimi për financimin, ndërtimin dhe punën e stacionit për pastrimin e ujërave të zeza për Qytetin e Shkupit’”- tha ministri i Ambientit, Nurhan Izairi.    
                                                                      
Qëllimi i këtij projekti është që t’u ofrojmë qytetarëve të Shkupit ujë të kualitetit të lartë dhe të jetë një zgjidhje afatgjate përmes ndërtimit të një impianti për përpunimin e ujit me teknologjinë e fundit, tha me këtë rast ambasadorja franceze, Lorens Oer.  
 
“Në këtë periudhë mundohemi që të gjejmë zgjidhje për teknikën më të përparuar, me qëllim të mënjanimit të ujërave të zeza dhe llumit, ndërsa në të ardhmen do të punohet për gjetjen e mundësisë për financim, që qytetarët e Shkupit të kenë zgjidhje për një periudhë të gjatë kohore”- theksoi ambasadorja franceze në RM, Lorens Oer.      
                          
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, tha se, duke pasur parasysh rëndësinë e këtij studimi në drejtim të plotësimit të standardeve dhe kërkesave të direktivave evropiane dhe legjislacionin kombëtar, ky dëgjim publik do të japë kontribut të mjaftueshëm në këtë sferë.
 
“Do t'u mundësojë qytetarëve të Shkupit, si përdorues përfundimtarë të fillojnë të gjejnë zgjidhje optimale dhe ekonomikisht të qëndrueshme për ndërtimin e stacionit për ujë për trajtimin e mbeturinave në Shkup”- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
 
Përpunimi i studimit financiarisht është mbështetur nga Fondi për studim dhe ndërtim të sektorit privat, FASEM, dhe Qeveria e Francës. Kostoja e këtij projekti do të jetë rreth 12 milion euro. 
 
GYLTENE SINANI