Maqedoni

LSDM: Pushteti fajtor për ikjen e të rinjve nga vendi; VMOR-DPMNE: Ikja historike është bërë në kohën e LSDM-së

30.10.2015 17:05

Maqedonia po ballafaqohet me një të ardhme jo të mirë, pasi për disa vite do të bëhet shtet i të moshuarve...

Këtë shqetësim e shprehën deputetët e opozitës bazuar në të dhënat e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, ku vetëm në vitin 2013 janë shpërngulur 20 mijë qytetarë.
 
Numrat që i publikon pushteti, sipas deputetes së PRSD-së, Sonja Mirakovska, nuk janë të vërteta, sepse statistikat i regjistrojnë vetëm ata që janë shpërngulur përgjithmonë e jo edhe ata që janë shpërngulur përkohësisht.
 
“Kjo nuk është shpërngulje, kjo është eksod i popullsisë së Maqedonisë. Duke pasur parasysh se çfarë politika zbaton ky pushtet 10 vitet e fundit, kemi numra aq të tmerrshme dhe frapante, kemi  qytetarë që rrugën dhe të drejtat e tyre i shohin  në ndonjë shtet tjetër, pasi që rinia jonë s’gjen punë këtu dhe ikë diku larg”- deklaroi deputetja e LSDM-së, Sonja Mirakovska.
 
Pas akuzave të deputetëve të LSDM-së, deputeti i VMOR-DPMNE-së, Krsto Mukoski, tha se të dhënat që plason LSDM-ja janë të pavërteta, sepse shpërngulja më e madhe është realizuar në vitin 1994, kur social-demokratët kanë qenë në pushtet. 
 
“A e dini kur e kemi minimumin historik? Kur u arratisën shumica e qytetarëve nga  ky shtet? Kjo ka ndodhur në vitin 1994, kur numri i banorëve bije në rreth 124 mijë banorë. A e dini pse? Sepse në Maqedoni u realizua privatizimi klasik mafioz”- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Krsto Mukoski.
 
Sipas opozitës, dimensionet trishtuese të shpërnguljes së mbi gjysmë milion qytetarëve do të konfirmoheshin me regjistrimin e popullatës, i cili, sipas tyre, nuk është realizuar, sepse dikujt ky numër nuk do t’i pëlqente. 
 
SANIJE KASAMI