Kriza politike në Maqedoni, Gjermania ia përcjell shqetësimet ambasadorit
Gjermania i sheh me shqetësim zhvillimet politike në Maqedoni. Shqetësimet Berlini zyrtar ia ka përcjellë edhe ambasadorit të Maqedonisë në Gjermani, Sasho Markovskit...

Siç njoftoi Ambasada gjermane në Shkup, ambasadori Markovski është thirrur për bisedë në Ministrinë e Jashtme gjermane me diplomatin përgjegjës për Ballkanin, Ernst Rajhel.
“VMRO-DPMNE duhet ta tregojë vullnetin e duhur dhe sa më shpejtë që të jetë e mundur, në mënyrë konstruktive, t’i zbatojë marrëveshjet e dy qershorit dhe 10 korrikut të vitit 2015. Qëllimi i marrëveshjes është që të krijohen mundësi të barabarta për të gjitha partitë në zgjedhjet e ardhshme, para së gjithash përmes zbatimit të rekomandimeve për reforma, që përmenden në raportin e ashtuquajtur të Pribesë. Moszbatimi i mëtutjeshëm do të ketë pasoja në vlerësimin e vendit nga ana e KE-së në raportin e ardhshëm për përparim” - thuhet në njoftimin e Ambasadës së Gjermanisë.
Në njoftim po ashtu thuhet se “moszbatimi do të ketë pasoja mbi vlerësimin e vendit nga ana e KE-së në raportin e ardhshëm për progresin. Edhe LSDM-ja do të duhet të sillet në mënyrë konstruktive dhe të përmbahet deri tek obligimet që ka marrë me nënshkrimin e marrëveshjes, posaçërisht të mos publikojë incizime nga bisedat telefonike”- thuhet në njoftimin e Ambasadës së Gjermanisë.
