Ahmeti takon ambasadorin amerikan, Putni
Sot në Ambasadën Amerikane në Shkup, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka realizuar takim pune me ambasadorin e ShBA-ve në Maqedoni, Bart Putni...

Në këtë takim në Ambasadën amerikane në Shkup, Ahmeti dhe Putni diskutuan rreth çështjeve të hapura nga Marrëveshja e Përzhinës, rreth negociatave të grupeve të punës, si dhe për hapat që BDI planifikon t’i ndërmarrë varësisht nga progresi i zbatimit të marrëveshjes.
Ahmeti theksoi që për BDI-në është shumë me rëndësi që Marrëveshja e Përzhinës të zbatohet në tërësi dhe pa asnjë vonesë të mëtejmë duhet të kompletohet ekipi i prokurores speciale dhe të dorëzohen ligjet e mbetura në parlament.
Dy partitë maqedonase duhet të kuptojnë se marrëveshja duhet të përmbyllet menjëherë dhe se çdo prolongim shkon në dëm të vendit dhe të qytetarëve, ka theksuar Ahmeti.
“BDI, duke qenë pjesë e të gjitha zhvillimeve në lidhje me Marrëveshjen e Përzhinës, merr në konsideratë dhe shqyrton të gjitha opsionet e mundshme për të tejkaluar këtë krizë të rëndë. Njëkohësisht, e ardhmja euroatlantike po mbahet peng nga mosgatishmëria për kompromis dhe kjo do të ndikojë shumë edhe në marrëdhëniet ndëretnike dhe situatën e përgjithshme në vend”- thuhet në komunikatën e BDI-së.
