Botë

Incidenti i detit të Kinës Jugore, BE në krah të SHBA-ve

30.10.2015 20:50

Bashkimi Europian është pozicionuar në krah të Uashingtonit këtë të premte...

Bashkimi Europian është pozicionuar në krah të Uashingtonit këtë të premte, sa i përket incidentit të patrullimit të anijeve luftarake mes SHBA-ve dhe Kinës të ndodhur në detin e Kinës Jugore, në një lëvizje që mund të ndikojë ndjeshëm në diskutimet e Brukselit me Pekinin, në takimin e javës së ardhshëm mes ministrave të Jashtëm të Europës dhe Azisë (ASEM).
 
Të martën, një anije luftarake amerikane lundroi rreth 12 milje detare larg nga një ishull artificial i pretenduar nga Pekini, pjesë e arkipelagut të kontestuar të Spratlyt, duke shkaktuar një reagim të ashpër prej Kinës.
 
“Shtetet e Bashkuara janë duke ushtruar lirinë e tyre të të lundruarit”, tha një zyrtar i lartë i BE-së gjatë një konference të shkurtër informative, i njohur për linjën e tij proamerikane.
 
Një zëdhënës i Marinës amerikane tha se patrullimi ishte pjesë e operacioneve të Amerikës bazuar mbi lirinë e lundrimit, e që synon të “mbrojë të drejtat, liritë dhe përdorimin e ligjshëm të detit dhe hapësirës ajrore që u garantohet të gjitha kombeve sipas ligjit ndërkombëtar”.
 
Bashkimi Europian është i shqetësuar në lidhje me planet e Pekinit për të ndërtuar ishuj të rinj në ujërat e diskutueshëm, - shtoi më tej zyrtari i BE-së, - një deklaratë që mund të mirëpritet edhe nga kombet e tjera aziatike, që kundërshtojnë thuajse të gjitha pretendimet e Kinës në detin e Kinës Jugore.
 
Vietnami, Filipinet, Taivani, Malajzia dhe Brunei kundërshtojnë të gjitha sovranitetin e Kinës mbi pjesë të caktuara të këtij deti, i cili është në një prej zonave më të ngarkuara të linjave detare të transportit.
 
“Edhe pse nuk po mbajmë një qëndrim mbi këto pretendime, BE është e angazhuar dhe mbështet një urdhër detar të bazuar mbi parimet themelore të ligjit ndërkombëtar, në veçanti të atyre që reflektohen në Konventën e Kombeve të Bashkuara për ligjin e Deteve (UNCLOS)”, shtoi më tej zëdhënësi i Marrëdhënieve me Jashtë i BE-së në deklaratën e tij.
 
Bashkimi Europian është përpjekur të përmirësojë marrëdhëniet me Pekinin, me shpresën për të tërhequr më shumë fonde nga Kina për të rigjallëruar ekonominë e ngadalësuar të bllokut europian, ndaj dhe ka qenë duke negociuar një marrëveshje për investime dhe tregti dypalëshe.
 
Madje, duke sfiduar Uashingtonin, qeveritë e BE-së kanë vendosur gjithashtu t’iu bashkohen Bankës aziatike të Investimeve në Infrastrukturë (AIIB) të udhëhequr nga Kina.
 
Ministrat e Jashtëm të Europës dhe Azisë do të mblidhen javën e ardhshme në Luksemburg, në eventin që mbledh së bashku të 28 vendet e BE-së dhe 21 vendet aziatike, përfshi Kinën, Vietnamin dhe Filipinet./Top Channel