Misioni civil i BE-së për strehimin e refugjatëve

31.10.2015 15:37

Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë e angazhimit të një "misioni civil" për të ndihmuar shtetet e Ballkanit Perëndimor për ta menaxhuar valën e refugjatëve, të cilët po kalojnë përgjatë rajonit, kanë bërë të ditur zyrtarë të lartë të bllokut...

Diplomatët në Bruksel janë takuar për të diskutuar mënyrat se si të kontrollohet fluksi i emigrantëve që po udhëtojnë nga Lindja e Mesme nëpërmjet Ballkanit me cak Evropën Veriore.

Propozimi për mision civil është përfshirë në një dokument të përgatitur nga Luksemburgu, që po kryeson Presidencën e radhës së Këshillit të BE-së, ka raportuar të premten uebfaqja "Politico", që ka siguruar dokumentin, transmeton  "Koha Ditore" shkrimin e BBC-së.

Dokumenti pritet të diskutohet dhe ende nuk paraqet qëndrim zyrtar të BE-së, por pritet që ai të diskutohet gjatë takimit të ministrave të drejtësisë dhe të punëve të brendshme të vendeve anëtare që do të takohen më 9 nëntor.

Qeveria e Luksemburgut sugjeron se “duhet marrë në konsideratë” një mision civil “për ta përshtatur procesin e gjetjes së zgjidhjes për fluksin e madh të emigrantëve”. Në të nuk jepen më shumë hollësi.

Një diplomat që është në rrjedha me zhvillimet ka thënë se ky mision do të ishte i ngjashëm me operacionin e zbatuar nga BE-ja më 2005 për ofrimin e mbështetjes për menaxhimin e kufirit ndërmjet Moldavisë dhe Ukrainës.

Propozimet kanë ardhur vetëm pak ditë pas takimit të së dielës të krerëve të 11shteteve, përfshirë edhe tre që ishin përfaqësues të shteteve joanëtare, që janë pajtuar për zbatimin e një plani me 17 pika për ofrimin e ndihmës për vendet e Ballkanit Perëndimor që shtrihen përgjatë rrugës së emigrantëve që mësyjnë pjesën qendrore dhe veriore të Evropës.

Por menjëherë kanë nisur reagimet e vendeve të rajonit se u duhet ndihmë më e madhe për të menaxhuar krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Një diplomat evropian ka konfirmuar se Greqia ka nisur të bisedojë me UNHCR-në për menaxhimin e rreth 20 mijë emigrantëve të tjerë. Liderët e shteteve janë pajtuar gjithashtu që të krijojnë zyra speciale për kontakte ndërmjet kryeqyteteve të ndryshme me qëllim të koordinimit të përpjekjeve të ndryshme për menaxhimin e fluksit.

BE-ja ka kërkuar koordinim më të mirë ndërmjet vendeve fqinje. Ende nuk janë vënë këto kontakte dhe në Bruksel është bërë e ditur se është mbajtur një videokonferencë me qëllim që të dihet hollësisht për zbatimin dhe qëllimin e planit të miratuar.

Tashmë janë dhënë zotime për strehimin e 12 mijë emigrantëve deri në fund të vitit, ka bërë të ditur Komisioni Evropian.

Sllovenia dhe Kroacia kanë gatishmëri për strehimin e dy mijë emigrantëve veç e veç, Serbia tre mijë dhe Austria pesë mijë. Sllovenia nuk e ka përjashtuar mundësinë e ngritjes së rrethojës kufitare me Kroacinë meqë ankohet se nuk mund të menaxhojë hyrjen e mijëra emigrantëve në ditë. (Ersan Pajaziti, TVM2)