VMRO-DPMNE nuk ndihet fajtore për bllokimin e bisedimeve
31.10.2015 17:38
Pavarësisht kritikave të ashpra LSDM-së dhe faktorit ndërkombëtare se kryeministri Gruevski dhe VMRO DPMNE- janë përgjegjësit kryesorë për ngecjen e bisedimeve, partia në pushtet nuk ndihet fajtore...

Sipas sekretarit të përgjithshëm të partisë, Emil Dimitriev VMRO ka qasje konstruktive në bisedime dhe po përpiqet të bëjë ç’mos që zgjedhjet parlamentare të mbahen në 24 prill.
“Akuza ka pasur dhe do të ketë, pozitat tona i dini, ne përpiqemi t’ia bëjmë të ditur edhe publikut. VMRO DPMNE ka qasje plotësisht konstruktive në bisedime. Ne jemi më së shumti të interesuar të realizohet Marrëveshja e Përzhinos dhe të shkojmë në zgjedhje në prill në përputhje me datën që është caktuar në Përzhino” - tha sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Emil Dimitriev.
Ndërkohë BDI-ja vlerëson se zgjidhja e krizës varet pikërisht nga to. Bekim Neziri, kryetar i shtabit zgjedhor të BDI-së, tha se me një presion të shtuar ndaj partive politike maqedonase do të vijë deri te zgjidhja përfundimtare e krizës politike.
“Vetëm BDI ofron zgjidhje dhe këtë zgjidhje dhe presion do të vazhdojmë ta ushtrojmë ndaj partive të tjera që janë aktorë në këtë krizë politikë. Do të ushtrojmë presion politik edhe ndaj VMRO-së dhe LSDM-së, pasi BDI dhe qytetarët shqiptarë të Maqedonisë e duan shtetin si të tyre dhe do të luftojmë deri në fund që të gjendet një zgjidhje përfundimtare”, deklaroi Bekim Neziri, kryetar i shtabit zgjedhor të BDI-së.
Dallimet kryesore, mes palëve në bisedime janë për sa i përket kompetencave të ministrave dhe zv/ministrave të rinj në Qeverinë kalimtare dhe në përkufizimin e periudhës së zgjedhjeve, sidomos nëse pranohet propozimi që çështja e kompetencave të lidhet me periudhën e zgjedhjeve. (Adnan Hajdari, TVM2)
