Thaçi: Dhuna e gazi në kuvend zbehin përkrahjen për Kosovën në UNESCO

31.10.2015 17:51

Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi i bëri thirrje opozitës që të jetë konstruktive, në mënyrë që Kosova të mos e humb përkrahjen ndërkombbtare për anëtarësim në UNESCO....

“Është me rëndësi që do të kemi ratifikimin e MSA-së javën tjetër, dhe do të vazhdojmë me përkushtime të tjera gjatë ditëve në vijim. Më lejoni të bëjë një ftesë për opozitën kosovare. Dua të theksoj se sa më tepër gaz lotsjellës që ka në Kuvendin e Kosovës dhe dhunë, aq më e zbehtë do të jetë edhe mbështetja për anëtarësimin e Kosovës nga partnerët tanë në UNESCO”, ka deklaruar Thaçi.

Ai njëherësh ka thënë se procesi i anëtarësimit të shtetit të Kosovës në UNESCO është në rrugë të mbarë. Ai ka bërë me dije se janë në kontakte edhe me ato vende që ende hezitojnë ta njohin Kosovën, në mënyrë që ta mbështesin Kosovën për anëtarësim në UNESCO.

Thaçi, po ashtu, tha se në të njëjtën kohë po ballafaqohen me një fushatë tepër arrogante dhe agresive, dhe të padrejtë të shtetit të Serbisë, ku janë bashkuar shtet, kishë dhe akademi e shkencave.

“Vlerësojmë se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO nuk është i drejtuar kundër askujt, nuk është i drejtuar as kundër Serbisë. Përkundrazi, ne vlerësojmë se do të ishte edhe në të mirën e fqinjëve tanë, por mbi të gjitha është në të mirën e gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallime etnike”, është shprehur Thaçi.