Nikolla: Çdo diplomë që njihet në Shqipëri, do njihet edhe në Kosovë

31.10.2015 19:19

Mbi 1 mijë studentë nga Kosova të cilët janë diplomuar në universitetet private shqiptare nuk iu njihen diplomat....

Problemi ka kohë që zvarritet dhe ministritë e të dy vendeve ende nuk kanë gjetur një zgjidhje për këtë situatë. E pyetur nga Kosovapress për këtë çështje, ministrja shqiptare e Arsimit Lindita Nikolla tha se janë në bisedime me ministrin Bajrami për ti gjetur një zgjidhje kësaj situate. Aktualisht tha ajo janë ngritur disa grupe pune për të verifikuar rast pas rasti këto diploma, por ajo konfirmoi se çdo diplomë që njihet nga shteti i Shqipërisë do njihet edhe nga Kosova.

"Besoj që me ministrin Bajrami ne kemi bërë deklaratat e përbashkëta. Ministri Bajrami ka thënë publikisht që të gjithë ato diploma që njihen nga shteti shqiptar do të njihen edhe nga ai i Kosovës. Drejtoritë tona të përbashkëta dhe grupet e punës janë ngritur për të kaluar rast pas rasti, gjithë situatën që lidhet me këto diploma, sepse mund të rezultojë atje ndonjë diplomë e universiteteve të mbyllura, por duhet marrë konfirmimi edhe se si është situata reale për këte universitet te mbyllur. Pra ai program ka qenë i licencuar, ai program ka qenë i akredituar. Kështu që mendojmë që ne po bashkëpunojmë fort për t'iu përgjigjur kësaj situate", tha Nikolla.

Janë rreth 1 mijw e 200 studentë që po penalizohen për të gjetur punë pasi kanë një diplomë shqiptare. Sipas shpjegimit të dhënë deri më tani të Ministrisë së Arsimit në Kosovë, universitetet private në Shqipëri nuk janë të akredituara nga një agjenci ndërkombëtare, përjashtim bëjnë vetëm universitetet publike. Ky ngërç, i cili nuk po zgjidhet ligjërisht, ka bërë që shumë studentë të mos munden të aplikojnë për punë.