Rrëzimi i avionit rus, 224 pasagjerë të vdekur, Putin urdhëron hetim zyrtar
Putin urdhëron hetim zyrtar të 224 pasagjerët që ndodheshin në avionin rus të rrëzuar në Sinai të Egjiptit kanë humbur jetën, kanë njoftuar autoritetet egjiptiane....

Avioni tip Airbus A-321 sapo ishte nisur nga resorti Sharm el Sheikh për në Shën Petersburg, kur humbi kuotë dhe u rrëzua.
Rrënojat e tij janë gjetur në zonën Hasana dhe trupat e pajetë janë hequr prej andej nga skuadrat e emergjencave, së bashku me kutitë e zeza të avionit.
Një zyrtar egjiptian e cilësoi vendin e ngjarjes si një “skenë tragjike”, me trupat e viktimave që ishin të ngjitura me sediljet.
Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin ka shpallur të dielën ditë zije, ndërsa ka urdhëruar një hetim zyrtar dhe ka kërkuar dërgimin e ekipeve ruse në vendin e ngjarjes.
Në gadishullin e Sinait vepron një rrjet militantësh islamikë, të cilët deklaruan më herët gjatë së shtunës se e kishin rrëzuar ata avionin.
Por ministri rus i Transporteve, Maksim Sokolov tha për agjencinë e lajmeve “Interfax” se, “këto deklarata nuk mund të merren si të mirëqëna”.
Ai theksoi se, në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë provë që të tregojë se avioni është goditur. Ministria egjiptiane e Aviacionit Civil deklaroi se avioni ndodhej në një lartësi prej 9.450 metra kur u zhduk nga radarët.
Ekspertët e sigurisë deklarojnë se një avion që fluturon në këtë kuotë është shumë larg rrezes që mund të përshkojë një raketë tokë-ajër e mbajtur në shpatullën e një njeriu, të cilën megjithatë militantët islamikë dihet që e zotërojnë.
