Meksikë, Nico Rosberg regjistron pole position

01.11.2015 15:15

Mercedes dominoi provat zyrtare në pistën meksikane me Nico Rosberg që regjistroi kohën më të shpejtë duke lënë pas shokun e skuadrës Lewis Hamilton...

Gjermani e mbylli xhiron më të shpejtë në 1 minutë, 19 sekonda e 480 të mijtat, 188 të mijtat më pak se kampioni i botës.

Koha e tretë për Sebastian Vettel që tregoi se Ferrari me motorin e vitit 2016 po funksionon dhe mund të jetë një rrezik real për skuadrën Merdedes në vitin 2016. Për Hamilton shtyhet festa e pole position numër 50 në karrierë pasi për të katërtën herë rresht në provat zyrtare u mund nga shoku i skuadrës që gjithsesi po e gjen një ngushëllim këtë sezon ku Hamilton i rrëmbeu sërish titullin kampion.

Në krahun tjetër, larg dominimit të Mercedes po lind Ferrari i ri pasi njëvendëshja e Vettel u përshtat menjëjerë me pistën meksikane duke dhënë shenja të dukshme përmirësimi.

Në këtë mënyrë, 4 herë kampioni i botës vazhdon të qëndrojë në lojë në garën për vendin e nënkampionit të këtij sezoni. Probleme të mëdha hasi skuadra McLaren pasi Alonso u rendit në vendin e 15, ndërsa Red Bull dhuroi një paraqitje pozitive me Kvyat e Ricciardo që arritën të regjistronin kohë më të mira se dy pilotët e Williams ku heroi vendas, Sergio Perez regjistroi kohën e nëntë më të mirë.