Bruksel: Për konsultimet e Vanhoutte, nuk jepen detaje
Komisioni Evropian nuk bën të ditur hollësitë nga konsultimet me ndërmjetësin në bisedimet e grupeve të punës, Piter Vanhoutte...

Nuk dihet nëse eksperti belg, Vanhoutte i cili dje mbërriti në Bruksel për të shqyrtuar mundësi të reja me autoritet e Brukselit për zhbllokimin e bisedimeve, do të vijë me ndonjë propozim të ri.
Katër liderët e partive politike Gruevski, Ahmeti, Zaev dhe Thaçi, përfundimisht deri më 5 nëntor duhet t’i tejkalojnë mosmarrëveshjet, kur edhe pritet të publikohet raporti i progresit.
BE-ja paralajmëroi pezullim të rekomandimit nëse nuk zhbllokohet procesi i bisedimeve apo një rekomandim të kushtëzuar me zbatimin e plotë të Marrëveshjes politike. Faktori ndërkombëtar shprehu dëshprimin nga paaftësia e klasës politike për t’i kapërcyer dallimet dhe përmbushur obligimet që kanë marrë me nënshkrimin e Marrëveshjes së 2 qershorit dhe 15 korrikut.
Procesi ka çaluar te kompetencat që duhet ti kenë ministrat dhe zv.ministrat e rinj në Qeverinë kalimtare.
Mosmarrëveshje ka në përkufizimin e periudhës së zgjedhjeve, sidomos nëse pranohet propozimi që çështja e kompetencave të lidhet me periudhën e zgjedhjeve. Nga ana tjetër nuk dihet as fati i ekipit të prokurores speciale Katica Janeva, pasi Këshilli i prokurorëve refuzon të emërojë edhe shtatë prokurorët e tjerë nga ekipit që ajo ka propozuar.
Për ngecjet, partitë vazhdojnë akuzat e ndërsjella, ndërkohë që faktori ndërkombëtar kërkon implementimin sa më të shpejtë të marrëveshjes. (Ersan Pajaziti, TVM2)
