Ekonomi

Ekonomistët dhe qytetarët: Standardi jetësor në Maqedoni, tejet i ulët

02.11.2015 14:34

Standardi jetësor i qytetarëve të vendit mbetet i ulët edhe përkundër asaj se nuk ka munguar rritja e pagave sidomos në sektorin publik...

Por, ekspertët e ekonomisë thonë se rritja e pagave ka qenë simbolike në krahasim me nevojat mujore për kokë banori.
 
Madje, sipas ekonomistit, Menderes Kuçi, standardi jetësor i qytetarëve të vendit është shumë më i ulët se sa ai në vendet tjera të rajonit.
 
“Standardi në përgjithësi, edhe pse përmes rrogave reflekton se kemi një ngritje sadopak të vogël, megjithatë jemi dëshmitarë të asaj se ditë për ditë po ulet në realitet, sepse pandam rrogave, ashtu në mënyrë simbolike rriten dhe asnjëherë s’kemi qenë dakord me atë se rroga minimale është ajo që i plotëson nevojat e qytetari. Jemi dëshmitarë të asaj se në raport me vendet e ish Jugosllavisë ne jemi edhe më ulët me atë nivel rrogash, të cilat edhe ashtu nuk sigurojnë mbijetesën”- deklaroi eksperti ekonomik, Menderes Kuçi.
 
Edhe qytetarët e anketuar pohojnë të njëjtën. Ata thonë se me rrogat apo pensionet që i marrin nuk mund t’ia dalin deri në fund të muajit t’i mbulojnë shpenzimet apo nevojat elementare.
 
“Nuk mundemi t’i përballojmë e t’i mbulojmë shpenzimet me këto rroga, duhet të punojmë punë shtesë, siç punoj unë, duhet të jenë më të mëdha rrogat, në Slloveni 1 mijë euro, në Kroaci 700 euro, ne jemi në vendin e fundit, në çka ngjan kjo, nuk mund t’ia dalim deri në fund të muajit”- deklaroi një qytetar. 
 
“Jo, 10 ditë, 6 mijë denarë marr”- tha një qytetar. 
 
“Dy ditë, tre ditë, ja a po i sheh, 5 mijë denarë, nuk ka. Të gjitha të rriten, edhe rrogat edhe pensione, kjo katastrofë është… si të jetojmë në Tanzani, në  Evropë po, edhe standardet janë më të mira”- u shpreh një qytetar.      
                                      
“As me rroga as me pensione nuk mundet, s’ka vlerë rroga”- theksoi një qytetar. 
 
“Me 15 mijë denarë pension mundohemi t’ia dalim, 6 mijë denarë i paguajmë llogaritë”- potencoi një qytetar.
 
Njëherit, ekonomistët shfaqin shqetësimin se niveli kaq i ulët i standardit mund të nxisë edhe migrimin, sidomos të të rinjve, që do të thotë edhe humbje të forcës së punës. 
 
“Kjo detyrimisht do të provokon një lëvizje apo një imigracion jo të dëshirueshëm edhe për ne si kompani të fuqisë punëtore drejt një jete më të mirë këtu, kisha thënë të një mbijetese jo të një jete më të mirë dhe kur të vijmë te pragu minimal, secili do të bën kalkulimet e veta dhe do t’ia mbështesë nga sytë këmbët, siç thotë populli”- deklaroi eksperti ekonomik, Menderes Kuçi. 
 
Edhe përkundër asaj se edhe këtë vit dhe vitin e kaluar kishte rritje ekonomike, standardi i qytetarëve shumë ngadalë përmirësohet.
 
Sipas statistikës evropiane, qytetarët e Maqedonisë janë në grupin e më të varfërve, me standard që është vetëm 36% e mesatares evropiane.
 
Sipas të dhënave për vitin 2014, prodhimi bruto për krye të një banori, sipas metodës shpenzuese, është 3.198 еuro, që është një nga më të ulëtat në rajon dhe në Evropë.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI