Maqedoni

Palët rikthehen në tryezë, Oer: Marrëveshja të zbatohet në tërësi

02.11.2015 17:02

Pas konsultimeve dyditore në Bruksel, ndërmjetësi, Piter Vanhojt, është rikthyer në Shkup...

Se çfarë lajmi sjell nga Brukseli ende nuk dihet, por fakti që partitë maqedonase janë ulur sërish në tryezën e bisedimeve lë të kuptohet se marrëveshja politike, pavarësisht tejkalimit të afateve, duhet të zbatohet. 
 
Deputetët e VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski dhe Ilija Dimovski, si dhe zëvendësministrja e Drejtësisë, Biljana Brishkovska, janë ulur bashkë me zëvendëskryetaren e LSDM-së, Radmilla Shekerinska, dhe nënkryetaren e kësaj partie, Frosina Remenskin, që të bisedojnë për Ligjin për ndalimin e publikimit të “bombave” dhe Ligjit për mbrojtjen e të ashtuquajturve “pëshpëritës”.
 
Nëse bisedimet shënojnë avancim, nuk përjashtohet mundësia që Grupi i punës të zgjerohet ose të thirret takim liderësh për të përmbyll edhe çështjen më kontestuese për momentin, përkatësisht ndryshimin e Ligjit për qeveri dhe atë për administratë publike, ku duhet të rregullohen kompetencat e ministrave dhe zëvendësministrave në Qeverinë kalimtare.  
 
Jozyrtarisht mësohet se në takimet dypalëshe janë arritur përafrime dhe palët mund të arrijnë marrëveshje për një pjesë të çështjeve të hapura që sot.
 
Në ndërkohë, ambasadorja e Francës në Maqedoni, Lorens Oer, edhe një herë ka ftuar nënshkruesit e marrëveshjes që ta zbatojnë këtë dokument.
 
Sipas saj, gjendja politike në Maqedoni mbetet e komplikuar.
 
“Gjendja politike është e komplikuar, ndërsa kuvendi duhet të luaj rolin  tij në zbatimin e Marrëveshje së Përzhinës, por gjithashtu duhet të luaj rol edhe në zbatimin e të gjitha ligjeve që duhet të miratohen”- tha ambasadorja e Francës në Maqedoni, Lorens Oer.
 
Oer nuk dha detaje nëse me moszbatimin e marrëveshjes Maqedonia rrezikon rekomandimin për fillimin e bisedimeve, por sugjeroi që të presim publikimin e Raportit të Progresit, ku gjërat do të jenë të qarta.
 
SHPËTIM NUREDINI