Maqedoni

Prokuroria Speciale, Kuvendi e miratoi buxhetin për afër 1 mln eurosh

02.11.2015 17:22

Kuvendi e miratoi buxhetin e Prokurorisë Speciale në vlerë prej afër një milion eurosh...

Buxheti i Katica Janevës mori dritën jeshile pa kurrfarë debati. Për këtë projeksion financiar nuk u prononcua as propozuesi, ministri i Financave, Zoran Stavreski.
 
Tani Janeva pret që Këshilli i Prokurorëve Publik t’ia kompletojë ekipin me 14 prokurorë, si dhe t’i sigurojë hapësira për të filluar hetimet mbi krimin që doli nga afera e përgjimeve. Sipas planit operativ, ajo veç më sot do të duhej të fillonte me hetimet, ndërkaq në afat prej 8 ditësh t’i marrë lëndët që janë në Prokurori.
 
Edhe institucionet sikurse Drejtoria për të Ardhura Publike, Prokuroria, si dhe Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim do të duhet të vihen në shërbim të saj.
 
Por, nisja e punës mbetet pezull, pasi që Këshilli i Prokurorëve refuzon kërkesën e Janevës, duke i bërë thirrje asaj që të fillojë punën me shtatë prokurorët e emëruar.
 
Për të ndryshuar mendjen, Këshilli i Prokurorëve kërkon nga Janeva argumente të reja se pse kërkon një ekip kaq të madh.
 
Janeva në kërkesën e saj të fundit, të tretën me radhë drejtuar Këshillit, ka sqaruar se 30 lëndë që dalin nga afera e përgjimeve e detyrojnë atë të angazhojë një ekip prej 14 prokurorësh.
 
Kompletimi i ekipit të Janevës është një ndër pikat kontestuese të Marrëveshjes së Përzhinës, që bllokoi bisedimet.
 
MERAL ISMAILI