MAQEDONI

LSM me fushatë “STOP për ekonominë e zezë të punësimit”

02.11.2015 17:41

“Thuaj STOP ekonomisë së zezë” është fushata e re e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë...

“Thuaj STOP ekonomisë së zezë” është fushata e re e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, e cila në periudhën e ardhshme do të realizohet në vend.
 
Është paraparë që qytetarët e papunësuar të trajnohen për të gjitha mekanizmat ligjore, në mbrojtjen kundër ekonomisë së zezë dhe të mësohen se si t’i paraqesin këto raste në organet kompetente.
 
Qëllimi kryesor i kësaj fushate është të ndërpresë punën e zezë të qytetarëve dhe të ngrihet vetëdija e qytetarëve. 
 
“E fillojmë këtë fushatë kundër të keqes shoqërore, gjegjësisht kundër ekonomisë së zezë në vend, e cila do të përfshijë prezantime të masave për mbrojtjen nga ekonomia e zezë. Rezultatet e deritanishme tregojnë se në vend kemi rreth 22.5 deri më 26 për qind të ekonomisë së zezë”- deklaroi kryetari i LSM-së, Zhivko Mitrevski.
 
Sipas hulumtimeve të fundit që prezantoi LSM, ekonomia e zezë është e pranishme më së shumti në sektorin e ndërtimtarisë, transportit, bujqësisë dhe në sektorin hotelierik.
 
Më të prekurit nga ekonomia e  paligjshme janë të rinjtë prej 15 deri më 30 vjeç, ndërsa më e pranishme kjo dukuri është gjatë punës sezonale, thonë nga LSM-në.
 
Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë kanë vepruar ndaj 600 lëndëve të ekonomisë së zezë. 
 
REXHEP QAMILI