Botë

Kosova nis rrugëtimin drejt BE-së, kuvendi miratoi ratifikimin e MSA-së

02.11.2015 18:14

Me 86 vota për dhe asnjë kundër, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar ratifikimin e MSA-së...

“Urime të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, gjithë deputetëve, me 86 vota për Kuvendi miratoi Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së MSA-së ndërmjet Kosovës dhe BE-së”- deklaroi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
 
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, paraprakisht vlerësoi se MSA-ja është një marrëveshje që ofron cilësi të tjera të demokratizimit të vendit dhe të të gjithë qytetarëve në një front të përbashkët karshi BE-së dhe me BE-në. 
 
“Fryma e marrëveshjes është frymë e qytetarëve të Kosovës. Qytetarët e Republikës së Kosovës janë përcaktuar pro frymës evropiane. Ata janë përcaktuar se vendi ynë është në Evropë, kjo marrëveshje mundëson që ne ta ndërtojmë vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Pas kësaj marrëveshje mbesin edhe dy çështje shumë të rëndësishme deri në fund të vitit, siç është anëtarësimi në UNESCO dhe data për liberalizimin e vizave”- deklaroi kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
 
Në aktin e votimit nuk ishin të pranishëm deputetët e opozitës, të cilët pas paraqitjes së qëndrimeve të tyre e lëshuan sallën. 
 
Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se nënshkrimi i MSA-së është hap i mirë për Kosovën, por, sipas tij, kjo nuk ka ndodhur për shkak se Kosova ka zhdukur krimin dhe korrupsionin, por si rezultat i nënshtrimit të Kosovës ndaj Serbisë. 
 
“Natyrisht që kur një vend ka synim për t’u anëtarësuar në BE është një gjë pozitive dhe si e tillë është për t’u përshëndetur, por problemi i parë është se ma çfarë statusi po e nënshkruar Kosova këtë marrëveshje. MSA me BE-në po e nënshkruan një marrëveshje me një status të kontestuar më fusnotë. Fusnota është një marrëveshje e arritur me Serbinë dhe fusnota thotë se për Kosovën vlen edhe rezoluta 1244 edhe mendimi i GJND-së. Pra, fusnota e ka dëmtuar procesin e sovranitetit të Kosovës, sepse e venë Kosovën si një çështje të pazgjidhur në rajon. Dhe Kosova tash po miraton legjislacion me termin Kosovë dhe fusnotë nga marrëveshja me Serbinë”- theksoi Glauk Konjufca nga Vetëvendosje.
 
MSA me BE-në po e nënshkruan një marrëveshje me një status të kontestuar me fusnotë, tha Konjufca. Ngjashëm u shprehën edhe shefat e grupeve parlamentare të AAK-së dhe Nismës për Kosovën.
 
GYLTENE SINANI