Botë
Pamjet satelitore dëshmi: Aeroplani rus nuk u rrëzua nga raketa
03.11.2015 12:03
Pamjet satelitore nuk i mbështesin pretendimet se aeroplani rus i udhëtarëve është rrëzuar nga raketa në gadishullin Sinai në Egjipt, fundjavën e kaluar, kanë thënë mbrëmë vonë zyrtarët amerikan...

Përkundrazi, një shkëndi e nxehtësisë e detektuar nga satelitët infra të kuq në kohën dhe vendin e eksplodimit, sugjeron se aeroplani ishte shkatërruar nga brenda nga ndonjë bombë ose nga shpërthimi në rezervarin e karburantit, kanë thënë këta zyrtarë.
“Ka pasur një lloj të eksplodimit dhe aeroplani është dezintegruar në lartësi shumë të madhe, por nuk ka dëshmi se ndonjë lloj rakete e ka rrëzuar aeroplanin”- i tha një zyrtar rrjetit NBC.
Ky zyrtar tha se sateliti do ta kishte detektuar trajektoren e nxehtësisë së raketës tokë–ajër, që do ta kishte pasur në shënjestër aeroplanin, pasi ishte pretenduar se raketa ishte lansuar nga militantët egjiptianë të ndërlidhur me grupin ekstremist, “Shteti Islamik”.
Aeroplani rus i udhëtarëve i tipit “Airbus A321”, u rrëzua më 31 tetor, me ç’rast humbën jetën të gjithë 224 personat që ndodheshin në aeroplan.
