Botë

Kerry: Rusia të kontribuojë për zgjidhje politike në Siri

03.11.2015 12:07

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, kërkon që Rusia të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjes politike për konfliktin në Siri dhe jo vetëm ta mbështesë regjimin e presidentit, Bashar al-Assad...

Duke folur në Televizionin Kazak, Kerry theksoi se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të bashkëpunojnë me Rusinë për të ndihmuar në përfundimin e luftës katërvjeçare, nga e cila janë vrarë më se 250 mijë persona, ndërsa miliona njerëz janë larguar nga Siria, duke shkuar në Evropë dhe vendet e tjera.
 
“Qartas, ne do të dëshironim të bashkëpunojmë, e jo të kundërshtojmë”- tha Kerry, duke shpjeguar se “realisht shumë varet nga zgjidhjet që i bën Moska lidhur me atë se a është atje për të gjetur zgjidhje politike ose nëse është atje thjesht për ta mbështetur regjimin e Assadit.
 
“Nëse është vetëm çështja e regjimit, ky është problem, pasi Turqia, Katari, Arabia Saudite, vendet e tjera, opozita, nuk do të ndalen së luftuari kundër Assadit”- tha Kerry. 
 
Më 30 shtator, Rusia e ka filluar fushatën e sulmeve ajrore në Siri, për të cilën Kremlini thotë se i ka në shënjestër caqet e militantëve radikalë të “Shtetit Islamik”.
 
Por, shumë vëzhgues thonë se në fakt Rusia synon eliminimin e grupeve kryengritëse, që kërkojnë përmbysjen e presidentit Assad.