Basketboll

Golden State të pandalshëm, fiton sërish Cleveland

03.11.2015 12:52

Tjetër fitore për skuadrën e Golden State në kampionat, duke korrur suksesin e katërt në po kaq takime të luajtura deri më tani në NBA...

Dhe sërish protagonist është Stephen Curry, autor i 30 pikëve, lider në fushë dhe i papërmbajtshëm, duke ndihmuar skuadrën në fitoren tejet bindëse, 119-69 ndaj Memphis.
 
Skuadra kampione e ka nisur mjaft mirë sezonin, duke dominuar në Konferencën e Perëndimit. 
 
Fiton edhe skuadra e Clippers, që ndali 102-96 Phoenix në shtëpi, duke korrur gjithashtu suksesin e katërt në po kaq takime të zhvilluara. Skuadra nga Los Anxhelosi konfirmoi se do të jetë edhe ajo pretendente për titull këtë sezon.
 
Ndaj Phoenix u dallua sërish Griffin, autor i 22 pikëve dhe 10 rebaund,mbështetur nga Paul me 17 pikë. Për miqtë nuk mjaftuan 19 pikët e Morris.
 
Në Lindje, erdhi fitorja e tretë radhazi për Cleveland, skuadrën tjetër pretendente për titull, që mundi 107-100 Philadelphia.
 
Një ndeshje e veçantë për LeBron James, që kapi kuotën e 25 mijë pikëve në karrierën e tij.
 
Sot ai realizoi 22 pikë dhe 11 rebaund, por u mbështet edhe nga Williams me 21 pikë. Vendimtare për Cavaliers janë 43 pikët e ardhura nga stoli, fakt që tregoi se Cleveland këtë sezon do të pretendojë titullin.
 
Nga sfidat tjera veqojmë fitoren e pare të Houstonit, që ia shkaktoi humbjen e pare Oklahomas, si dhe triumfin e Portlandit ndaj Minesotas.