Paralelet shtesë, Ademi: Kërkesat janë vonuar, po i shqyrtojmë
Ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, thotë se po shqyrton të gjitha kërkesat e ardhura nga Komuna e Çairit për shtimin e paraleleve në shkollat fillore...

Ademi ripërsëriti se drejtorët e shkollave e dinë që kërkesat duhet të bëhen para fillimit të vitit shkollor e jo një muaj pasi ai ka filluar.
“Deri tani kemi dhënë pëlqim për hapje të paraleleve edhe për punësim në një shkollë fillore në Komunën e Çairit dhe të tjerat, siç na vijnë kërkesat ashtu i shqyrtojmë dhe i zbatojmë. Por, e përsëris edhe njëherë, këto janë të gjitha kërkesa të vonuara, fatkeqësisht këto kërkesa duhet të bëhen në fillim të shtatorit, në momentin kur bëhet planifikimi i paraleleve, i punësimeve e jo një muaj ose dy pasi të ketë filluar viti shkollor”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Sa i përket vonesës së shpërndarjes së teksteve në disa shkolla, Ademi u shpreh në këtë mënyrë: “Ashtu siç kam theksuar më herët, një kompani duhet këto ditë ta përfundojë distribuimin, që ka pasur arsye objektive për prolongim, kurse kompanitë e tjera të gjitha i kanë distribuuar, shpresoj që të përfundojnë në afatin e paraparë”.
Këto komente ministri Ademi i bëri gjatë shpalljes së konkursit për ndarjen e 745 bursave në kategori të ndryshme, për nxënësit e shkollave të mesme publike dhe private. 80 bursa janë të paraparë për fëmijët pa prindër, 50 bursa për nxënësit me nevoja të veçanta. Për sportistët e talentuar, MASh do të ndajë 150 bursa, 50 bursa do të ndahen për nxënësit e talentuar me sukses 5 dhe të cilët kanë fituar shpërblime në gara shtetërore ose ndërkombëtare.
“Edhe këtë vit do të ndajmë 745 bursa, të cilat janë të ndara në 6 kategori, edhe atë 400 janë të dedikuara për mbështetëse sociale të nxënësve, kushtet të cilat duhet t’i plotësojnë këta nxënës, që gjatë shkollimit të kenë të paktën sukses katër. Me ndarjen e këtyre bursave do të merret parasysh edhe gjendja materiale dhe financiare e familjes së ngushtë të kandidatit, si dhe shpërblimet eventuale në gara shtetërore dhe ndërkombëtare. Lartësia e bursës në të holla është 2200 denarë në muaj dhe kohëzgjatja e kësaj burse është 9 muaj brenda vitit”- theksoi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Të gjithë të interesuarit për aplikim duhet të jenë nxënës të rregullt në shkollat publike ose private, të mos kenë humbur asnjë vit dhe të mos jenë shfrytëzues të ndonjë burse tjetër. Afati për aplikim është prej sot e deri më 15 nëntor, ndërsa rezultatet do të shpallen më 14 dhjetor. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
