Kriza e refugjatëve në Maqedoni dhe Serbi, KE ndan 2 milion euro për UNHCR-në
Komisioni Evropian do të ndajë dy milionë euro për UNHCR-në për përmbushjen e nevojave themelore të refugjatëve dhe azilkërkuesve që për momentin tranzitojnë nëpër Maqedoni dhe Serbi nga Ballkani Perëndimor...

Kjo ndihmë humanitare do t'i mundësojë UNHCR¬-së të sigurojë 200.000 refugjatë me veshje të ngrohta për dimër, strehim të përkohshëm dhe mbrojtje të lokaliteteve për pranim në rajon.
"Me dimrin që po na afrohet, grupet më të cenueshme do ta kenë ndihmën dhe solidaritetin tonë që u është e nevojshme më shumë se kurrë. Ata do ta kenë të mundshme nevojën nga produktet themelore, siç janë: ushqimi, strehimi, mjetet higjienike, si dhe mbrojtja urgjente shëndetësore. Ne e sigurojmë këtë ndihmë humanitare që të përballemi pikërisht me këtë"- deklaroi komisari i BE-së për ndihmë humanitare dhe menaxhim me kriza, Hristos Stilijanidis.
Maqedonia ka vështirësi në menaxhimin e situatës, sidomos tani që po afrohet stina e dimrit. Nga Shtabi për Përballje me Krizën e Refugjatëve mirëpresin ndihmën ndërkombëtare për përballje me krizën.
“Kapacitet e qendrave në Gjevgjeli dhe në Kumanovë janë të kufizuara, mirëpo tani për tani po punohet intezivisht për adaptimin e këtyre tendave me kushte dimërore, që të sigurohen hapësira të ngrohta dhe ushqim të mjaftueshëm, sepse kemi një numër të organizatave joqeveritare humanitare që funksionojnë në teren, gjithashtu janë edhe partnerët ndërkombëtarë, ata të UNHCR-së dhe të gjitha agjencitë e Kombeve të Bashkuara që ndihmojnë në lehtësimin dhe të jemi sa më të suksesshëm në ballafaqim me këtë krizë”- tha udhëheqësja e Shtabit Kryesor të Refugjatëve, Suzana Saliu.
Derisa vendet e varfra të Ballkanit mezi po përballen me krizën e refugjatëve, në Gjermani ashpërsohen debatet për mbylljen e kufijve. Kancelarja, Angela Merkel, thotë se një gjë e tillë do të sillte deri në konflikte të armatosura në Ballkan.
“Kohët e fundit në Ballkanin Perëndimor ju keni parë disa herë zhvillime të tilla shqetësuese. Andaj, unë nuk dua që atje përsëri të ketë konflikte të armatosure mes shteteve”- theksoi kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Një mbyllje eventuale e kufijve të cilitdo shtet, e sidomos të Gjermanisë, do të shkaktonte reagim zinxhir në të gjithë Ballkanin dhe ky është një opsion që BE nuk mund ta rrezikojë ta vërë në zbatim.
BE hë për hë po përforcon ndihmat për vendet ballkanike dhe financimi për UNHCR-në është pjesë e pakos për ndihmë prej 17 milionë eurosh të publikuara nga kryetari i KE-së, Zhan Klod Junker, për t'i ndihmuar Serbisë dhe Republikës së Maqedonisë në përballjen me fluksin e refugjatëve. (Rexhep Qamili, TVM2)
