Izairi, Oer dhe Vinton njoftuan mbi Konferencën klimatike të Parisit

03.11.2015 16:06

Më 30 nëntor, në Paris fillon Konferenca kushtuar ndryshimeve klimatike, ndërsa më 6 nëntor një konferencë e ngjashme do të mbahet në Shkup...

Këtë e bëri të ditur ministri i Ambientit Jetësor, Nurhan Izairi, i cili theksoi se konferenca organizohet me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, në kuadër të kryesimit të Maqedonisë me iniciativën e Evropës Qendrore.

“Si rezultat përfundimtar i kësaj konference pritet miratimi i një deklarate, në të cilën do të shprehet gatishmëria për bashkëpunim në kuadër të së ashtuquajturës rritje më të gjelbër për rajonin e Evropës Qendrore”- tha ministri i Ambientit, Nurhan Izairi.

Në Paris do të tentohet të miratohet një angazhim ndërkombëtar i cili do të titullohet Aleanca e Parisit për Klimën, theksoi ambasadorja franceze, Oer, dhe përfaqësuesja e përhershme e Juendipisë, Luiza Vinton.

“Konferenca fillon me samitin e kryetarëve, e më pas do të zhvillohen bisedime për ndryshimet klimatike deri më 10 dhjetor. Po ashtu organizohet edhe samit për të rinjtë prej 1 deri më 8 dhjetor, ku do të marrin pjesë edhe një numër i madh i organizatave joqeveritare. Jemi kujdesur të marrin pjesë edhe organizatat joqeveritare nga Maqedonia në këtë ngjarje të madhe, ku do të marrin pjesë 5 mijë të rinj”- deklaroi ambasadorja e Francës në Maqedoni, Lorens Oer.

“Për Kombet e Bashkuara klima është një sfidë e madhe, dhe siç do të thotë sekretari i përgjithshëm, Ban Ki Mun, me të vërtetë ndryshimet klimatike janë sfidat që e definojnë kohën e sotme. Për ndryshimet klimatike viti 2015 është me të vërtetë i rëndësishëm për miratimin e vendimeve të rëndësishme për ndryshimet klimatike”- theksoi Luiza Vington nga UNDP në RM-së.

Konferenca e Parisit synon uljen për 1.5 deri në 2 gradë të ngrohjes globale deri në fund të këtij shekulli. Dokumenti që pritet të miratohet në Konferencën e Parisit kushtuar ndryshimeve klimatike pritet të hyje në fuqi deri në vitin 2020. (Gyltene Sinani, TVM2)