Identifikohen trupat e parë të aksidentit, Sisi: Propagandë se IS-is rrëzoi aeroplanin

03.11.2015 16:17

Dhjetë trupat e parë të viktimave nga rrëzimi i aeroplanit rus në Egjipt janë identifikuar nga familjet, raportuan autoritetet ruse...

Aleksei Smirnov nga Ministria e Situatave Emergjente ka thënë se 140 trupa dhe mbi 100 pjesë trupore kanë arritur tashmë në Shën Petersburg. Është ende e paqartë se çfarë e ka shkaktuar aksidentin. Kompania “Metrojet” ka përjashtuar gabimin e pilotit ose problemet teknike.

"Faza e dytë e operacionit të kërkimit ka përfunduar dhe diku rreth 20 km e hapësirës është kaluar. Faza e tretë ka filluar dhe hapësira për hulumtim është rritur në 30 km”- deklaroi ministri i Situatave Emergjente, Aleksei Smirnov.

Presidenti egjiptian, Abdul Fattah al Sisi, i ka cilësuar si “propagandë” deklaratat se militantë të lidhur me “Shtetin Islamik” kanë rrëzuar avionin rus mbi Sinain. Ai tha për BBC-në se është shumë herët për të thënë se çfarë e shkaktoi ngjarjen.

“Propaganda se atë avion e rrëzoi ISIS është një mënyrë për të dëmtuar Egjiptin, imazhin dhe sigurinë e tij. Më besoni, situata në Sinai, sidomos në këtë zonë është tërësisht nën kontroll. Është ende shumë herët për të thënë se çfarë e shkaktoi shpërthimin e avionit”- tha presidenti i Egjiptit, Abdul Fattah Al Sisi.

Edhe shefi i CIA-s, James Clapper, deklaroi se nuk ka një provë direkte për një përfshirje të terrorizmit, por shtoi se kjo është një pistë që nuk mund të injorohet.

Avioni tip “Airbus” thuhet se ka shpërthyer në ajër, teksa fluturonte mbi Sinai, duke i marrë jetën 224 personave që ndodheshin në bord. Linja ajrore në zotërim të objektit fajësoi “aktivitete të jashtme” për incidentin, por shefi i Agjencisë Federale të Aviacionit në Rusi, Aleksandër Neradko, tha se një deklaratë e tij ishte e parakohshme dhe e pabazuar në fakte.

Milicia e “Shtetit Islamik” në gadishullin e Sinait shpërndau më herët një deklaratë për shtyp, ku merrte përgjegjësinë e rrëzimit të avionit me 224 pasagjerë. (Leunora Kaliqi, TVM2)