Vazhdojnë bisedimet për Marrëveshjen politike, në tryezë analiza për zbatimin e MO-së

03.11.2015 16:59

Bisedimet rreth zbatimit të Marrëveshjes politike të dy qershorit vazhdojnë por jo aty ku mbetën...

Në kuadër të bisedimeve për zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës, BDI, VMRO dhe LSDM po analizojnë zbatimin e deritanishëm të Marrëveshjes së Ohrit. Punimet i ka bojkotuar PDSh-ja, pasi vlerëson se ky format  i bisedimeve nuk është në përputhje me metodologjinë e punës të dakorduar me marrëveshjen politike. Në takim është analizuar çështja e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.

“Në përputhje me Marrëveshjen e Përzhinës dhe rekomandimeve të KE-së, apo Raportit të Pribesë, Sekretariati në bashkëpunim me të gjitha institucionet relevante të shtetit, në bashkëpunim me organizatat joqeveritare, stafin akademik dhe njerëzit e njohurive të ndryshme bënë analizën cilësore të implementimit të të gjitha politikave që dalin nga Marrëveshja e Ohrit”- deklaroi Ejup Halimi nga Sekretariati për zbatimin e MO-së.

Nuk duam të merremi me konstatime, por duam të arrimë zgjidhje cilësore për çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve dhe marrëdhëniet ndëretnike, të cilat do të diskutohen në kuadër të Grupit punues që drejtohet nga ndërmjetësuesi i Komisionit Evropian, z. Piter Van Hojt, thotë deputeti i PDSh-së, Bekim Fazliu.

“Duam ta njoftojmë opinionin e brendshëm dhe të jashtëm se Partia Demokratike Shqiptare nuk do të merr pjesë në këtë tryezë, pasi që konsiderojmë se ky format i bisedimeve nuk është në përputhje me metodologjinë e punës për të cilën jemi dakorduar me nënshkrimin e Marrëveshjes së 2 qershorit/15 korrikut. Nuk duam të jemi pjesë e një tryeze ku ata të cilët janë përgjegjës kryesorë për mosimplementimin e MO-së akoma 15 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes merren vetëm me analiza dhe konkluza”- tha deputeti i PDSh-së, Bekim Fazliu.

Në kuadër të analizës për zbatimin e deritanishëm të Marrëveshjes së Ohrit, Grupi punues do shqyrtojë përdorimin e gjuhës, decentralizimin, mosdiskriminimin, arsimin dhe çështjen e etniteteve pakicë. Analiza e plotë do të publikohet në fund të muajit nëntor, në një konferencë ndërkombëtare.

Në ndërkohë, vazhdojnë takimet dypalëshe për çështjet problematike, si: Ligji për qeveri, përkatësisht kompetencat e ministrave dhe e zëvendësministrave në qeverinë transitore, kompletimi i ekipit të prokurores speciale, miratimi i Kodit Zgjedhor dhe zgjedhja e Komisionit Anketues Parlamentar për skandalin me përgjimet e paligjshme. (Shpëtim Nuredini, TVM2)