Maqedoni

Fondi i Shëndetësisë: procedurat administrative në formë elektronike

03.11.2015 17:55

Procedurat administrative në shtëpitë e shëndetit nga forma e shkruar në letër do të kryhen në formë elektronike...

Fondi i Shëndetësisë për këtë avancim të procedurave administrative ka vendosur softuer të ri, ndërkaq ka nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit me mbi 3 mijë subjekte juridike, institucione publike dhe private shëndetësore të vendit.
 
Përparësia e mënyrës së tillë të funksionimit do të jetë kursimi në kohë. Në vend se dokumentacioni të pritet për disa ditë të mbërrijë në relacion shtëpi shëndeti-fond ose anasjelltas, tani kjo do të realizohet në kohë reale. Gjithashtu do të kursehet në financa dhe resurse njerëzore, thonë nga Fondi.
 
“Nga vënia në funksion të sistemit elektronik, të gjithë institucionet shëndetësore do të kenë përfitime për shkak të kursimeve që kanë në reduktimin e burimeve njerëzore si dhe mjeteve financiare. Përfitime ka edhe Fondi për Sigurim Shëndetësor të Maqedonisë, duke kursyer kohë, qasje në të gjithë dokumentacionin, aftësitë për të eliminuar gabimet, pasqyrë e qartë e kërkesave të paraqitura deri në Fond, si dhe përfitim në kohë dhe në zgjedhjen e tyre”- deklaroi drejtori i Fondit të Shëndetësisë, Orhan Ramadani.
 
Shtëpitë e shëndetit për të mënjanuar gabimet eventuale, në gjashtë muajt e ardhshëm procedurat administrative do t’i realizojnë edhe në letër, ndërkaq nga 1 maji i 2016-ës do të aplikohet vetëm forma elektronike.
 
MERAL ISMAILI