Maqedoni

Komuna e Gostivarit ish presidentin kroat, Mesiç, e shpall qytetar nderi

03.11.2015 18:23

Ish presidenti kroat, Stipe Mesiç, me një ceremoni solemne të organizuar në mjediset e objektit të Komunës së Gostivarit...

Ish presidenti kroat, Stipe Mesiç, me një ceremoni solemne të organizuar në mjediset e objektit të Komunës së Gostivarit, edhe zyrtarisht u shpall qytetar nderi i Gostivarit. Ky titull vjen pas vendimit të miratuar nga Këshilli i Komunës së Gostivarit, njëzëri dhe pa asnjë votë kundër.
 
“Një politikan dhe një lider si Stipe Mesiç do të kishte dashur ta ketë çdo popull i Botës. Të jesh në skenën politike për më shumë se 50 vite me radhë dhe ta kesh mbështetjen e plotë të popullit që i takon, është krenari e madhe. Krenari më e madhe është që edhe pasi të largohesh nga skena politike të gëzosh mbështetjen e popullit”- deklaroi kryetari i Gostivarit, Nevzat Bejta, i cili më pas ish presidentit kroat, Stipe Mesiç, ia dhuroi “Çelësin e qytetit”, si simbol i titullit qytetar nderi i Gostivarit. 
 
“Titullin që ma dhuruat e çmoj lartë dhe e konsideroj si vlerësim për përcaktimin tim jetësor. Qyteti juaj, nga sot edhe qyteti im, uroj të përparojë dhe të ketë zhvillim”- me këtë fjalë u drejtuar para të pranishmëve ish presidenti kroat, Stipe Mesiç.
 
Duke folur për aktivitetin e tij politik, për çka dhe u dekorua, Mesiç theksoi se gjatë gjithë karrierës ka promovuar dialogun kundrejt dhunës.
 
“Shumë saktë e potencuar në vendimin tuaj se njerëzve ju nevojitet partneriteti dhe bashkëpunimi mes nacionaliteteve të ndryshme dhe sidomos gjatë krizave dhe periudhës pas konflikteve. Gjatë gjithë karrierën time politike dhe jetësore vazhdimisht kanë promovuar dialogun, por fatkeqësisht në pjesën e Evropës Juglindore vazhdimisht i kemi përsëritur gabimet e njëjta. Shpresoj dhe besoj që periudha e kaluar të jete mësim për ne, dëshiroj dhe besoj që historinë që e mësuam ta bartim edhe tek gjeneratat që vijnë pas nesh”- tha z. Mesiç.  
 
LULZIM HAZIRI